Luli informohet për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave

5 Shtator 2017, 19:35Antena TEMA

Pas debatit publik për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, Luli kërkoi një raport të hollësishëm, se si kishin shkuar ato, pasi kishte shumë presion që duhet të mbante qëndrim publik.

Kunati i përgatiti raportin dhe ja nisi.

Aty thuhet:

“Zgjedhjet në Akademi mendoj se ishin shumë të mira.

Ata më kërkuan këshilla para zgjedhjeve, pasi më konsiderojnë si njeri me përvojë të thellë në zgjedhje të brendshme.

U thashë që në fillim se, nëse doni të mbani në duar Akademinë, ju ndihmoj, po deshët të bëni nga këto garat e budallallëqe të tjera, nuk ju ndihmoj dot.

-Jo më thanë, na duhet të mbajmë Akademinë. Kemi dhe këto materialet e peshëngritjes këtu, nuk kemi ku t’i çojmë.

-Atëhere do veproni kështu, iu thashë.

E para, nuk do lejoni rivalë në garë, por do bini dakord kush është rivali.

Dhe u vendos paraprakisht që të ndërroheshin vendet, kryetari të bëhej sekretar, dhe sekretari kryetar.

Në këtë pikë më dëgjuan 100 për 100.

Pastaj u thashë kujdes me fletët e votimit.

Meqë jeni pak, vetëm 30 veta, duhet t’u bëni shenjë të gjithëve që ta dini si do votojnë.

Krahas kësaj, mbani 30 fletë votimi gati të plotësuara për të shpallur rezultatin, nëse ka ndonjë incident.

U shpjegova se ka shumë rëndësi kush është në Sekretarinë e zgjedhjeve, pasi duhet ta bëjë të qartë publikisht se me kë është ai dhe për kë duhet të votojnë.

Në fund u shpjegova se ka shumë rëndësi që rezultati të jetë i thellë dhe pjesmarrja e lartë.

Ata ngelën shumë të kënaqur nga këshillat e mia dhe më premtuan se do t’i vënë në jetë të gjitha.

Me sa pashë nga përfundimi, mendoj se ata kanë vepruar drejt.

Lidhur me presionet që të bëjnë ty për të reaguar, duhet të jemi të kujdesshëm.

Të gjithë e kanë marr vesh që zgjedhjet në Akademi u bënë sipas modelit të zgjedhjeve në PD, pra siç i këshillova unë, dhe ata duan që ti të shprehesh, pasi duan të krahasojnë dy palët e zgjedhjeve.

Ndaj të rekomandoj të mos flasësh për këtë çështje dhe ta shmangësh sa më shumë të jetë e mundur.

Zgjedhjet në Akademi u bënë fiks si zgjedhjet në PD, ndaj çdo deklaratë e jotja për mbështetje, dëmton zgjedhjet në PD.

Ndaj është mirë t’i plasësh e me gojë të mos flasësh”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje