Gazeta “RD” në numrin e saj të sotëm kishte shkruar se “amerikanët” i kanë kërkuar Edi Ramës të arrestojë katër familjet mafioze brenda katër muajve që vijnë.
Kunati po e lexonte i çuditur gazetën, që nuk e kontrollon dot akoma Luli.
Është i vetmi ishull që Doktori nuk e lëshon.
Për këtë, vendosi t’i bëjë një rreng “RD”-së.
Thirri kryeredaktorin për kafe.
-Dëgjo, tha. Kjo puna e katër familjeve mafioze duhet parë me kujdes.
Nga të dhënat që kemi ne, ata quajnë familje mafioze dhe familjen e Doktorit.
E gjitha është një lojë e Sorosit, përmes Edi Ramës me Donald Lu, që pas dhjetë ditësh t’ia plasin dhe të fillojnë arrestimet.
Keni rënë në kurthin e Edi Ramës dhe Donald Lu, që dihet që janë njerëz të Sorosit.
Kryeredaktori filloi të përtypej.
-E ke të sigurtë, e pyeti Kunatin?
-Shumë të sigurtë, i tha Kunati.
Pas deklaratës, Lu ka shkuar tek Xhafaj.
Një njeriu ynë aty brenda na raportoi që i kishte thënë Xhafajt:
-Hë, mirë isha?
-Shumë mirë, i kishte thënë Xhafaj.
-Të shtoj ndonjë gjë tjetër?
-Jo jo, ishe shumë mire, i tha Xhafaj. Tani jemi gati të veprojmë.
Kaq kemi interceptuar ne.
E gjithë kjo na krijon dyshime se e gjitha është një lojë e ambasadorit me Edi Ramën, kundër familjes së Doktorit dhe disa grupeve të tjera.
Kryeredaktori i “RD” u skuq në fytyrë dhe Kunatit ju krijua ideja se atij po i rritej hunda duke ndenjur në karrige.
-Si t’ia bëjmë, i tha Kunatit?
-Duhet ta demaskojmë si Rigertën, tha Kunati.
T’i themi nuk na prekin lotët e tua. E dimë vetë gjendjen si është. Ti kërkon të zëvendësosh opozitën dhe të ndërmarrësh revansh ndaj qëndrestarëve të opozitës.
Katër familjet mafioze janë Rama, Lu, Vlahutin, Soros.
Armiku i tyre mbetet Doktori. Mos u lëkund kurrë nga kjo gjë.
-E kuptova, tha kryeredaktori. E zbërthej unë sot.
-Ishallah e shkruan, tha Kunati me vete, ta shikoj një herë si do t’i lëshohet Lu, Doktorit.