Panelet televizive, po prodhojnë “Gazetarin digjital”

28 Tetor 2017, 18:40Editorial TEMA


Nga Karlo Bolino

Mediat shqiptare janë kthyer në qendër të debatit publik pasi kryeministri i ka cilësuar si “idiote” pyetjet që po i bëheshin nga disa gazetarë.

Gjykimi që Edi Rama ka për mediat është i njohur që kur filloi t’i përkufizojë si “kazan” dhe në të vërtetë ky nuk ndryshon shumë nga gjykimi i shprehur publikisht nga liderë të tjerë politikë kundër gazetarëve, duke filluar nga Donald Trump, i cili kundër medias ka thënë gjëra edhe më të këqia. Nëse politika nuk i do mediat, kjo është një shenjë e mirë, pasi, në mos gjë tjetër, do të thotë se mediat e bezdisin pushtetin dhe reagimi arrogant i saj është prova më evidente se jo të gjitha mediat janë në shërbim të saj.Natyrisht, nëse pushteti sulmon mediat ose nuk tregon respekt për funksionin e tyre publik, mediat kanë të drejtën të mbrohen me të njejtën monedhë dhe të kritikojnë pushtetin. Deri këtu kemi të bëjmë me lojën normale të palëve. Por çështja qendron diku tjetër. Çfarë mendon opinion publik për mediat shqiptare? Dhe, përkufizimi i shpifur “kazan mediatik” është vetëm një shpikje e kryeministrit, apo një opinion që e kanë të tjerë edhe jashtë pallatit?

Po të lexosh komentet e qytetarëve të zakonshëm për mediat sociale, për fat të keq, nuk duket se mediat tona gëzojnë besueshmëri dhe një imazh të mirë. Me përjashtime të pakta, pjesa më e madhe e mediave, gazetarë dhe botues shihen si “kazan” edhe nga lexues dhe telespektatorë. Por, në këtë rast, i kujt është faji? Me thënë të drejtën, ne gazetarët jo gjithnjë sillemi në një mënyrë të tillë, sa të meritojmë një respekt më të madh.

Gjetja e fundit vetëvrasëse e mediave janë “titujt karrem”, me të cilat janë mbushur faqet në internet. Në qoftë se rregulli i gazetarisë në gjithë botën është që lajmi duhet të përmbahet në titull, në Shqipëri edhe ky rregull (si shumë rregulla të tjera të gazetarisë profesioniste) është transformuar në krejtësisht të kundërtën e kësaj: Mos guxo të vesh lajmin në titull, se askush nuk e lexon përmbajtjen. Nuk ka deklaratë politike që të mos shoqërohet me foljen “plas” apo “shpërthen” (si alternativë, ekziston vetëm “rrëfen” ose “thumbon”): tashmë nuk ndodh më të arrish të kuptosh se çfarë ka thënë politikani i radhës duke lexuar vetëm titullin, pasi gjithshka vijon me ”deklarata e fortë”, “e pabesueshme”, “e paimagjinueshme”, “për herë të parë”, “s’mund ta imagjinoni”, “e habitshme”, “ja çfarë tha”, ”bombe” pa shpjeguar asgjë dhe zakonisht duke e mbyllur fjalinë me tri pika, që duhet të lenë të imagjinohen shumë gjëra të tjera akoma.

Në 90 për qind të rasteve, pasi lexuesi i shkretë është detyruar të lexojë të gjithë lajmin deri ne fund për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, ajo çka gjen është një rutinë e pastër e nga “e paimagjinueshmja” nuk ka asgjë. Të zhgënjesh në mënyrë të vazhdueshme lexuesit është mënyra më e mirë për të humbur respektin e tyre dhe besueshmërinë tonë.

Mund të imagjinoni të lexoni një titull në New York Times të tipit “Shpërthen Trump, nuk mund ta imagjinoni se ç’ka thënë”, siç lexohet rëndom në mediat tona? Natyrisht, jo. Kjo teknikë ”e tërheqjes” së lexuesit, e cila në Evropë përdorej në vitet ’70 vetëm nëpër gazetat skandalistike në përpjekje për të shitur ca kopje më shumë, për fat të keq është kthyer në rregull në gati të gjitha mediat shqiptare, edhe në ato që kundërshtojnë, të skandalizuara, të cilësohen si “kazan”. Problemi është që kjo kategori titujsh karrem i është shtuar asaj të titujve “bombastikë” që për fat të keq ekziston prej vitesh (“Skandal”, “Turp”, “Tmerr”, etj, etj) dhe kjo shpjegon se pse, pasi ka kaluar një orë duke kërkuar të gjesh ndonjë lajm, imazhi i gazetarit në sytë e lexuesit del prej këtej i shkatërruar.

Bota e informacionit është, më tej, e kërcënuar gjithandej nga sëmundja e lajmit të sajuar. Por, ndërkohë në vendet e tjera perëndimore antidoti kundër “fake news” janë vetë gazetarët që bëjnë barrierë kundër përhapjes së lajmeve false të shpërndara në mediat sociale, në Shqipëri shpërndarësit më të mëdhenj të “fake news”-eve në të kundërt janë vetë gazetarët, pasi pjesa më e madhe e tyre (jo të gjithë, për fat të mirë) nuk kanë kohë, dëshirë apo aftësi për të verifikuar lajmet, që në shumicën e rasteve i kopjojnë nga të tjerët dhe i ripublikojnë pa asnjë kontroll.

Një fenomen tjetër, jo më pak shkatërrues, është vënë re kohët e fundit: gazetari që kthehet vetë në lajm. Kjo ndodh sidomos në televizion. Gazetari del në një studio televizive dhe tregon atë çfarë i vjen ndërmend sikur të ishte ulur në një kafene, pa treguar asnjë video, asnjë dokument, asnjë fotografi apo ndonjë provë që të tregojë se denoncimet e tij janë të bazuara.

Scoop-i në këtë rast është ai vetë, ashtu siç do të kishte bërë një prokuror që tregon direkt të fshehtat e hetimit të tij, apo një politikan që pohon veprimet e tij. Dallimi shumë i madh është se prokurori apo politikani tregojnë të fshehta, për të cilat progatonistë janë ata vetë, rrjedhimisht janë edhe përgjegjës për to, ndërkohë që gazetari tregon sekretet e të tjerëve dhe për atë, nëse ajo që thotë është e vërtetë apo e sajuar, duket se nuk i bëhet vonë askujt: në këtë kuptim, shtypi po kopjon aspektin më të keq të politikës, duke shpikur një lloj “gazetari dixhital”.

Etika profesionale (e cila në të vërtetë është logjika normale e gjërave) kërkon që një gazetar të nxjerrë gjithnjë një provë, pasi puna investiguese bazohet mbi një mbledhje të lodhshme provash dhe jo mbi mbledhjen, më komode, të thashethemeve, me të cilat zakonisht shoqërohet kafeja. Por ajo që ka vlerë për gazetarët në të gjithë botën, nuk vlen këtu, në Shqipëri. Me një mani protagonizmi tipike për katundet, disa gazetarë tanimë kanë braktisur veshjen normale të një ndërmjetësi në informacion dhe kanë vendosur kurorën e Profetit të së Vërtetës: çfarëdo ideje apo fantazie t’u lindë në kokë, qoftë ky edhe vetëm një dyshim, ata e paraqesin në publik si një zbulim ekskluziv.

Scoop-e të rreme të këtij lloji po dëgjojmë ditë pas dite, në çdo emision televiziv. Debatet në orët “prime time” janë mbushur me këta “gazetarë investigativë pa prova”, të cilët, në pjesën më të madhe të rasteve, nuk kanë investiguar asgjë fare dhe tregojnë llafe kafenesh sikur të ishin histori të vërteta. I rëndë është fakti që këto llafe kopjohen menjëherë dhe riprodhohen nëpër portalet web, gjithnjë e më të uritura për lajme sensacionale (por që nuk kërkojnë punë) dhe, në një qark të shkurtër informativ, ditë pas dite gazetaria shqiptare po vdes. Në disa raste, ”gazetari investigativ” përdoret nga dikush për të tjera qëllime, në disa raste është vetë gazetari që e përdor rolin e tij për qëllime të tjera. Problemi është që, në këtë shpërthim të vazhdueshëm shashkash, për fat të keq, zhduket zëri i atyre të paktën që thonë të vërtetën.

Kjo mënyrë e deformuar dhe e pandershme e të bërit informacion po e shkatërron profesionin tonë, duke njollosur edhe imazhin e atyre kolegëve që çdo ditë përpiqen me djersën e ballit në terren ta bëjnë në mënyrë korrekte punën e tyre. Pasoja e kësaj situate është që kredibiliteti ynë në Shqipëri shkon drejt zeros dhe kështu, kur kryeministri guxon t’i përkufizojë si “idiote” pyetjet e gazetarëve dhe mediat si “kazan”, ka rrezik që njerëzit, në vend që të ndërhyjnë për të na mbrojtur, të ngrihen në këmbë, ta duartrokasin dhe t’i thonë bravo. Dhe pikërisht është kjo që duhet të na shqetësojë me të vërtetë. Se, kur mediat cilësohen si ”kazan” edhe nga qytetarët, kjo është dhurata më e mire që mund t’u bëjmë politikanëve dhe qeveritarëve.

(Shqiptarja.com)

21 komente në “Panelet televizive, po prodhojnë “Gazetarin digjital””

  1. Voica says:

    Thjesht një bravo të madhe….!

  2. LORA says:

    Njerzit duan te verteten,zoti Bolino.
    Rama tha te verteten,,,,pyetjet idiote te .mender-gazetareve te fyejne inteligjencen.
    Kursi i mediave, qe kane me shume se dy dekada qe fyejne barbarisht inteligjencen e qytetareve u eshte kthyer ne shpagim te merituar.C’te mbjellesh ,do te korresh ,,,,thote populli shqiptar.
    Nese edhe Ti nuk do t’a kuptosh qe njerzit duartokasin te verteten qe thote Kryeministri,,,,me qafe pac veten.
    Tung.

  3. Haka Tekizoti says:

    Më saktë dhe më qartë s’ka ku shkon.

  4. xhemal says:

    edhe politikanet besoj thone te verteta per te tjeret publiku di ti gjykoje mire.genjeshtra i ka kembet e shkurtera thote populli eshte pergjegjesi e gazetareve te vetekorigjohen

  5. Flutura says:

    …..Mirepo, keto jane konstatime te Karlo Bolinos, se gazetaret shqiptare iu turren si ulkonjat Edi Rames, i cili nuk do t’ia dije per ta, (edhe une vetem lexoj titullin dhe e di se cila eshte permbajtja), dhe epitetet qe u vuri, te gjitha te verteta, i quajten fyerje. ….Si ka mundesi qe ne te jemi te paafte, bejme pyetje idiote… jane ofendime te papranueshme per ne… dhe pastaj analiza e komente neper studio TV, duke iu ankuar njeri tjetrit per Edi Ramen.
    Keto dite te “nxehta” per politiken, e mediat, vetem 3-4 gazetare kane thene te verteten per ate qe e meritojne mediat tv dhe ato te shkruara, se te tjeret me te vertete jane gazetare kazani, qe edhe ne zonat me te humbura nuk i vleresojne dhe jo me t’i besojne.
    Ky ishte leksioni nr.1 per gazetaret dhe qe te mbrrijne tek leksioni i fundit u duhet te djersitin shume, te vrasin mendjen shume, por jo aq shume sa te arrijne gazetaren malteze te vrare para disa ditesh, se ajo eshte e pakapeshme per gazetarine tone.
    Te lumte per ndihmen ndaj gazetarise e mediave z.Karlo Bolino.

  6. Shvejk says:

    Respekt per Bolinon, gazetarin e vertete qe nuk ka frike nga e verteta. Keqardhje qe asnje gazetar shqiptar nuk guxon ti thote hapur kto te verteta qe i dine te gjithe.

  7. beni says:

    me lajmet e kronikes se zeze dhe me analistet e mbremjes jeni bere te neveritshem prandaj opinioni eshte edi ramen

  8. Alion Lika says:

    Me lajmet e kronikes se zeze dhe me analistet embremjes jeni bere te neveritshem prandaj opinioni eshte me edi ramen

  9. Jimi says:

    Te te thoshte ty Bolino, kur them ty gazetareve profesioniste dhe me integritet, ato qe u tha atyre”gazetareve” Rama , atehere me te vertet do te ishte shqetesuese dhe e pafaleshme per nje politikan apo k/minister!

  10. Vjosani says:

    I sakte, i qarte, me nje shqipe te mrekullueshme qe nuk e kane gazetaret tane edhe pse te lindur shqiptare… Respekt per ty, Bolino!

  11. Eri says:

    Me cudit jo vetem logjika e ketij z. Bolino,por dhe gjuha korrekte dhe shume e shprehur embel….PERGEZIME Z.BOLINO, QE E QENDISNI FJALEN DHE MENDIMIN KAQ BUKUR!!!!!

  12. Agim says:

    Te lumte !
    Thjeshte dhe shkurt !
    Te falenderoj!
    Mediat sot jane bere te pa besueshme dhe te palexueshme!
    Mediat sot jane gjeja me e pa vlere!
    Skemi ku kalojme kohen se keto sdo ishin lexuar fare!
    Tjeter shkruajn ne titull,tjeter shtjellojne.

  13. Para Laci says:

    Eshte mbushur “kazani” (kupa), Carlo!

  14. Kris says:

    Nje italian, eshte i vetmi gazetar shqipta,r ne Shqiperi! Para disa ditesh i dergova nje email per Report tv! Mendoj se ka qene reflektimi me kohe i ketij gazetari,Karlo Bolino,per te verteten e medias ne Shqiperi! Kur eshte Qimi apo Elvi Fundo gazetare te lutem por cfare ka media! Injorante dhe medioker te shitur si mercenare te paguar me para te pista! Krijues lajmesh me digjitalin berishian dhe “prures provash” qe jane vetem opinione kafenesh ose te pergatitura nga Meta-Berisha! Bomba Basha ,leshoi nje bombe berisha etj lajme te medias shqiptare! Pse nuk i hiqet imuniteti Tahirit?! Imunitet nuk ka me deputeti dhe gazetaret nuk e dine kete apo lozin rolin e naivit apo percjellin urdherat e Boss-eve?! -Puthet dora qe paguan -thone te mocmit! Por le te shkojme me tej ! Kemi Yllin me Andin dhe Lubonjen mendjet me te percudunuara te medias shqiptare bashke me Blendin qe e kane rjepur kete popull! Urime Z. Bolino i vetmi “romak” midis italianeve ne Shqiperi!! Kemi Rudinen me Dritanin qe bojne gazetari post Rama?! Me falni harrova shume te tjere por po permend Shkullakun!

  15. Marko says:

    Dhe jo vetem kazan mediatik…pr dhe jashqitja me e neveritshme qe ekziston

  16. emigranti says:

    Problemi zoti Bolino eshte se ne Shqiperi demokracia u be ala berisha sic u ndertua dhe komunizmi radikal ala hoxha.Populli ketu ishte lene me traume nga ai sistem qe kishte nen kontroll gjithcka sa njerezit nuk kishin kurajo te flisnin dhe brenda mureve te shtepise.Berisha doli ne skene me nje kurajo jashte normales ku te gjithe cuduteshin dhe te krijonte shprese per nje demokraci te vertete. Sa mori pushtetin ai perdori po ato metoda te sistemit te dikurshem te nderthurura dhe me ato te tipit mafjoz qe ju i dini me mire se une( te viteve 70 ne Itali)Fakti qe me gjithe ato fatkeqsi qe i ka shkaktuar ketij populli atij nuk i ka ndodhur asnje gje eshte ngulitur tek njerezit kulti i individit te pa prekshem qe duhet tja kesh friken.Neve shqiptareve na kane lene te vjetrit nje shprehje “me te urtin sillu si i urte dhe me harbutin si harbut”Kjo shprehje eshte aktuale se shqiptaret njeriun e urte dhe te arsyetueshem e marin si dobesi dhe te marin perpara ndaj dhe mediat dine ku sulmojne pa patur frike duke folur para se te mendojne shto aty dhe tagjine qe u serviret per kontributin.Kur kam mberitur ne Itali ne vitet 90 nje i moshuar me ka pyetur per situaten ne Shqiperi I thashe se do te ndryshoje shpejt se jemi nje popull qe kemi vuajtur ne nje diktature te tmerrshme.Pasi me degjoi me vemendje me tha : Qe te vij demokracia e vertete duhet te kalojne 30-40 vjet qe te largohet ai brez qe u edukua me ate sistem.Une e kundershtova por tani i jap plotesisht te drejte.Pershendetje zoti Bolino te falenderoj per kontributin tend kurajoz ne nje vend me demokraci te brishte dhe te rrezikshme.

  17. The truth says:

    Artikull perfekt qe duhet perdorur si leksion per gazetaret shqiptare. I ka te gjitha qe nga analiza e fakteve, qartesia, e verteta deri edhe drejtshkrimi. Ky artikull eshte nje shuplake me e rende per gazetaret sesa ajo e Rames qe i quan idiote.

  18. Quo Vadis! says:

    Rron shqiponja (Bolino) ne maje te malit, rron edhe miza (Andi Bejtja p.sh.) ne bisht te gomarit.
    Ne vend te Andi Bejtes jeni te ftuar te vendosni ke emer te doni ne kete shprehje. Ka plot, me shumice.

    1. pjeter says:

      Bravo, eshte veshtire te gjesh nje gazetar qe te rrije larg bishtit te gomarit, ka ndonje qe hera heres ben tentative ti largohet duke botuar artikuj disi objektive. Me thene te drejten, forca e gravitetit te bishtit te gomarit ben te sajen.Yzeiri psh, beri pak hatermbetsin, duke na botuar nje artikull qe ne parim eshte i drejte, por ce do? per nje media qe kemi ne ai shkrim eshte ne mbrojtje te atyre qe rrine ne bishtin e gamorit, pikerisht te atyre qe evidenton “Quo Vadis”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje