Rrëfimi tronditës i Gentjan Muçës: Si e mposhta tumorin!

2 Nëntor 2017, 14:54Sport TEMA

Ndonjëherë jemi të dhënë kaq shumë pas punës dhe rutinës së përditshme saqë harrojmë se gjëja më krye sore është shëndeti. Kjo ndoshta vlen më shumë për sportistët, të cilët fatin e tyre dhe karrierën e kanë të lidhur ngushtë edhe me gjendjen fizike.

Po çfarë ndodh kur problemet me shëndetin tejkalojnë mundësinë apo pamundësinë për të ushtruar profesionin që ke zgjedhur në jetë? Po kur bëhet fjalë për situata më kritike që kanë të bëjnë direkt me të ardhmen dhe jo vetëm me luajtjen e një apo 30 ndeshjeve? Atëherë frika dhe dilemat bëhen vërtet të mëdha, sepse pikërisht aty nis t’i lutesh Zotit për një shans të dytë.

Kjo i ka ndodhur Gentjan Muçës, mbrojtësit të Tiranës që iu desh të përballet me një nga momentet më të vështira në jetë. Nuk ishte çështje dëmtimi, por më e rrezikshme se kaq. Iu desh të luftonte me një tumor, që për fat të mirë rezultoi “beninj” dhe që tashmë e ka hedhur pas krahëve.

Është një histori drithëruese, të cilën vetëm familjarët e tij e dinin deri më sot… Në një rrëfim për “Panorama Sport” futbollisti tregon peripecitë që ka hequr deri tani dhe kur mund të kthehet sërish në fushat e blerta.

Genti çfarë ka ndodhur me ty në 7 muajt e fundit, pse erdhi kjo ndërhyrje e dytë kirurgjikale?

Nuk dua që ta bëj dramatike, pasi për fat u mbyll me kaq. Muaji i fundit nuk ka qenë aspak i lehtë për mua, sidomos kur më thanë “ke masë tumorale”. Në korrik u diagnostikova me “displazi fibroze”, që është masë tumorale beninje, te qafa e femurit të majtë.

Si e kuptove, pasi të gjithë dinim që kishe probleme me hernien diskale?

Ndodhi pas asaj ndërhyrje. Pasi fillova rehabilitimin, po ndieja dhimbje te rrëza e kofshës së majtë. Pas kontrolleve dhe biopsisë që bëra fillimisht në Shqipëri, në muajin korrik u diagnostikova me “displazi fibroze”, e thënë shqip “masë tumorale beninje”. Ishte e lokalizuar me pak fjalë. Më pas mora analizat dhe u nisa në Itali, ku bëra sërish kontrolle të tjera dhe një tjetër biopsi. Spitali në Torino vërtetoi diagnozën që mora edhe në Tiranë.

Kur je operuar?

Më 10 tetor dhe operacioni zgjati afro 3 orë, duke përfshirë përgatitjet para ndërhyrjes. Pasi gërryen masën, më vendosën një material me fibra karboni, për të përforcuar strukturën e kockës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje