Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, mendon se skuadra e tij mund të luante si e barabartë përballë Partizanit vendas e mund të merrte një rezultat të tillë.
Për “SuperSport” ai deklaroi se ekipi meritonte pikë dhe se një gabim i mundshëm i Lilajt ishte mëse i justifikueshëm.
“Kemi qenë më sulmues, nuk është se kemi reaguar vetëm pas pësimit të golit, se deri te goditja standarde te pjesa e administrimit e kishim në kotnrollin.
Duhet të ishim më agresivë përpara. Por sigurisht që ishte një ndeshje që për mendimin tim është luajtur në mënyrë të barabartë. Kemi pasur situatat tona në goditje standarde, pësuam gol ashtu. Pastaj erdhi goli i dytë në momentin më të mirë.
Në këtë ndeshje nuk duhej të bënim këtë lloj paraqitje sa i përket episodeve, pjesë e lojës janë edhe gabimet. Ishim afër portës për të qenë para për të tentuar rezultat pozitiv. Por në dy momente që kontrolluam lojën, u goditëm me një goditje standarte dhe një episod që e patë vetë.
Edhe kundërshtari nuk është se na kërcënoi me aksione, kjo ndeshje mund të shkonte edhe drejt barazimit, u fitua me episode. Deri në minutën e golit të parë, nuk bënë raste në portën tonë, dhe me veprimet mbrapa i dhanë mundësinë të na rrezikonin. Ndoshta nuk do ta kishim fituar me këtë agresivitet në sulm, por të paktën mund të mos e kishim humbur.
Lilaj? Një gabim në kaq ndeshje është i pranueshëm se vetë tensioni i ndeshjes është i pranishëm në këtë përballje që kishim sot”, u shpreh Ilir Daja.