Dueli mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut cilësohet si ndeshja më e kushtueshme në histori nga mediat serbe. Kjo ka lidhje si me fitimet e mundshme të klubit serb nga UEFA në rast se kualifikohet në fazën me eliminim direkt, ashtu edhe me shpenzimet e shumta që kanë bërë kampionët e Serbisë për duelin ndaj shqiptarëve.
Në rast kualifikimi të mëtejshëm në Ligën e Europës, klubet përfitojnë një bonus prej 1,1 milionë eurosh nëse përfundojnë në vendin e parë, ose 800 mijë euro nëse do të jenë në vendin e dytë. Ndaj fitorja me Skënderbeun është vendimtare për të arritur cilëndo prej këtyre shumave pasi në rast barazimi apo humbjeje, Partizani i Beogradit do të humbte terren edhe ndaj Jang Bojs, rivalit tjetër në grup dhe kualifikimi do të bëhej thuajse i pamundur.
Mediat serbe e cilësojnë këtë si ndeshjen më të kushtueshme në historinë e klubit edhe për shkak të rritjes së shpenzimeve të Partizanit të Beogradit si rrjedhojë e masave të sigurisë ekstra për sfidën ndaj korçarëve. Klubi ka punësuar shumë forca sigurie shtesë, ka bërë modifikime në tribunat e stadiumit dhe të gjitha sistemet e tjera të sigurisë, me një kosto të lartë financiare vetëm për këtë ndeshje.
Ndërkaq, ka përdorur çmime normale biletash për të ftuar sa më shumë tifozë por me tribuna të reduktuara, ndaj të ardhurat nga biletat nuk do të jenë maksimale. Si rrjedhojë, klubi ka shpenzuar shumë dhe shpreson që të mbushë arkat përsëri nëse arrin të fitojë me Skënderbeun për të shkuar drejt kualifikimit në turin tjetër të turneut.