Ajdarevic: Nuk erdha për para dhe famë te Shqipëria, realizova një ëndërr

3 Nëntor 2017, 20:42Sport TEMA

E filloi karrierën në Suedi, teksa askush nuk dyshonte në talentin e tij që në moshën 6-vjeçare. Po flasim për futbollistin që ka marrë ftesë sot për herë të parë nga Panucci, Astrit Hajdari. Mesfushori është detyruar që të ndërrojë mbiemrin pasi babai i tij ishte futbollist në ish-Jugosllvi, duke ia vendosur Ajdarevic.

27-vjeçari do të veshë për herë të parë fanellën e Shqipërisë në miqësoren ndaj Turqisë, që do të luhet në Antalia më 13 nëntor. Në një intervistë për “Telegrafin”, Ajdarevic ka komentuar ftesën e ardhur nga kombëtarja shqiptare.

“Kam qenë i ri, ka pasur edhe më herët kontakte por tani është koha e duhur. E rëndësishme është që tani kam marrë ftesën dhe do të luaj me Kombëtaren, më mirë vonë se kurrë. Te Shqipëria nuk jam duke ardhur për para ose famë, te Shqipëria vendosa të vij pasi dëgjova zemrën time. Dua të jap më të mirën time për Kombëtaren dhe për gjithë shqiptarët anë e mbanë botës”, u shpreh mesfushori shqiptar.

Mesfushori është shprehur i gatshëm për të luajtur për Shqipërinë sa herë që të ketë nevojë.

“Unë jam i gatshëm gjithmonë për të dhënë më të mirën për vendin tim. Të luaj me Kombëtaren është një ëndërr që po bëhet realitet dhe mezi pres një gjë të tillë”, theksoi Ajdarevic.

Në Lojërat Olimpike të Brazilit, ai dha deklarata të bujshme,pasi nuk pranonte të këndonte himnin para ndeshjes.

“Jam krenar që kam mbajtur shiritin e kapitenit te Suedia, por himnin nuk kam mundur ta këndojë pasi unë jam shqiptar. Edhe pse në Suedi u bë shumë zhurmë për atë që kam bërë megjithatë nuk jam pishman, pasi ngado që kam shkuar me krenari të madhe kam treguar prejardhjen time. Nëse jam në formë të mirë, besoj që këtë përvojë që e kam fituar deri më tani do ta shkrijë në Kombëtare në shtatë apo tetë vitet e radhës.

AEK-u? Në fillim kam luajtur më shumë ndërsa tani më pak por e rëndësishme është që klubi po ecën mirë. Synimi ynë është që të marrim titullin kampion në Greqi dhe nëse ndodh një gjë e tillë do të ishte shumë bukur pasi AEK është një skuadër e madhe me tifozeri fantastike.

Edhe në Evropë jemi duke kaluar mirë, pasi ndodhem në grup me skuadra të mëdha si Milan, Rijeka e Austria Vjena ku ende nuk kemi pësuar humbje dhe nëse kalojmë tutje do të jetë shumë mirë”, tha Ajdarevic.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje