Njihuni me Astrit Ajdareviç, prurjen e re të Panuccit për miqësoren me Turqinë

3 Nëntor 2017, 16:38Sport TEMA

Astrit Ajdareviç është risia më e re në listën e trajnerit Christian Panucci për miqësoren e 13 nëntorit ndaj Turqisë në Antalia. 27-vjeçari në fakt ka një karrierë të pasur, pasi më parë ka luajtur për skuadra si Liverpool, Leicester, Standard Liege dhe së fundmi pjesë e AEK të Athinës. Roli i tij në mesin e fushës është fantazist, por gjatë këtij sezoni, nuk është se ka pasur shumë hapësira. Në 6 ndeshje ai ka dhuruar dy asist, ndërkohë që nuk ka gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës në 442 minuta lojë.

Por kush është Astrit Ajdareviç? Ai ka lindur më 17 prill 1990 në Prishtinë, ndërsa prindërit e 27-vjeçarit janë me origjinë nga Medvegja. Familja e tij emigroi drejt Suedisë në vitin 1992. Babai i Astritit, Agim Ajdareviç ishte gjithashtu futbollist dhe aktivizohej me Spartak Subotica në kampionatin e futbollit të ish-Jugosllavisë.

Astrit Ajdareviç, hapat e para si futbollist i nisi në vitin 1996. Skuadra e parë e tij në Suedi ishte ekipi Rinia IF, ku qëndroi deri në vitin 2001. Më pas, ai nënshkroi me klubin e Falkenbergs FF, ku u aktivizua me ekipin e të rinjve deri në 2006.

Më 5 dhjetor 2006, Ajdareviç kompletoi transferimin te Liverpool. Qëndroi dy sezone te skuadra e të rinjve të Liverpool duke fituar edhe FA Youth Cup në vitin 2007. Megjithatë, mesfushori me tipare sulmuese nuk mundi të bënte hapin e madh dhe të bënte gjithashtu diferencën te skuadra e të rinjve të të kuqve në Angli. Ajdareviç u huazua te Leicester City, ekip me të cilin u shpall kampion në League One në sezonin 2008–09. Ai firmosi për një vit me “dhelprat” duke u shkëputur përfundimisht nga Liverpool-i.

Karriera e tij nuk pati ndonjë rritje të madhe dhe më pas u huazua nga Leicester te Hereford United në vitin 2010. Disa vite të vështira për karrierën e Astrit Ajdareviç, i cili u rikthye në Suedi ku nënshkroi me Orebro, më pas me IFK Norrkoping, ndërsa provoi të luante edhe me Standard Liege në Belgjikë, sërish në kategoritë e ulëta në Angli me Charlton Athletic, përsëri në Suedi, por këtë herë me Helsingborg, deri sa u rikthye te Orebro në 2015-ën. Pas një sezoni të mirë ku shënoi 6 gola në 35 ndeshje, mesfushori me tipare sulmuese do të firmoste për AEK-un e Athinës, ekip ku vazhdon të aktivizohet ende, shkruan “Vip Sport”.

Më 13 dhjetor 2016, Ajdareviç nënshkroi një kontratë me klubin grek, për dy vjet e gjysmë. Kontrata e tij me AEK-un skadon në 2019. Që kur u transferua në Greqi, Ajdareviç zbuloi se ai humbi 7 kg në vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë.

Në të kaluarën, Ajdareviç ka luajtur për Suedinë deri në përfaqësuesen U-23, duke marrë pjesë edhe në Olimpiadë ku ishte kapiten i skuadrës./

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje