Komisioni i Apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zbutur disi përmasat e skandalit me dënimin e dhënë kundër skuadrës së Flamurtarit për parullën e famshme të pulave të shpalosur nga tifozët. Në mbledhjen e sotme, Komisioni ka vendosur të ulë dënimin e vlonjatëve sa i përket numrit të ndeshjeve që do të luajnë pa tifozë.
Pas bujës që mori vendimi skandaloz i Disiplinës, Apeli ka zbritur nga 4 në 2 numrin e ndeshjeve pa tifozë për ekipin e Flamurtarit, duke i dhënë mundësinë kësisoj vlonjatëve që të luajnë që në takimin e radhës në fushën e tyre, atë kundër Skënderbeut, me praninë e tifozëve pas pagesës së gjobës.
Vendimet e Komisionit të Apelit në FSHF, datë 8 nëntor 2017
1) Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës datë 13.10.2017 (pika 9) të Komisionit të Disiplinës pranë FSHF si më poshtë:
Lojtari i KF “Elbasani”, Renato Hyshmeri, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1.a) të KDS, dënohet me 7 (shtatë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Kundër këtij vendimi lejohet ankimim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër.
2) Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës datë 27.10.2017 (pika 1) si më poshtë:
“Flamurtari” F.C, për përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve duke përdorur parulla e shprehje ofenduese e duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës dhe gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) Lekë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankimim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër.