Mungesa e rezultateve dhe një projekt sportiv që bind gjithnjë e më pak, ka bërë që interesimi i drejtuesve kinezë të Milanit të zbehet. Sipas mediave italiane, ata janë gati të shesin klubin të cilin e blenë vetëm disa muaj më parë, pasi kanë kuptuar se do u duhet shumë kohë për ta kthyer në nivelet që pritnin kur blenë aksionet e familjes Berluskoni.
Sipas të përditshmes italiane “La Repubblica”, ekziston mundësia që në një të ardhme jo shumë të largët, një pjesë e paketës së aksioneve t’i kalojë një bashkëpronari, në mënyrë që të ndihmojë Jonghong Li, i cili mendohet se është në vështirësi financiare dhe nuk përballon për momentin shpenzimet e klubit. Por nuk përjashtohet mundësia që pronari kinez të heqë dorë plotësisht dhe të shesë të gjithë paketën.
Sipas burimeve pranë kompanive që kanë siguruar huatë për klubin në Londër, një grup arab i njohur në arenën ndërkombëtarë, është gati të marrë stafetën nga kienzët. Këta të fundit duhet të shlyejnë një borxh prej 303 milionë eurosh ndaj fondit të investimit amerikan Elliot me interesa shumë të larta ndaj e kanë të pamudnur të bëjnë investime të tjera në klub të cilat në situatën aktuale duken të domosdoshme.
Hipoteza e tretë, që do të ngatërronte më shumë gjërat, gjithmonë sipas “La Repubblica”, është krijimi i një shoqërie që përbëhet nga investitore kinezë, arabë dhe amerikanë, pasi këta të fundit do të ishin gati të bëheshin pjesë e projektit duke ndërhyrë për ndërtimin e stadiumit të ri në Milano. me pak fjalë, situata kaotike që po përjeton Milani në fushën e lojës, ka filluar të pasqyrohet plotësisht edhe në zyrat e klubit, duke bërë të ardhmen e kuqezinjve gjithnjë e më të paqartë.