Një gol në pjesën e dytë i Federiko Bernardeskit ka zgjidhur telashet e Juventusit ndaj Kaljarit, për t’i mundësuar skuadrës së Masimilano Alegrit që të mbajë hapin e Napolit kryesues.
Në një ndeshje shumë të luftuar, Juventusi iu afrua dy herë rrjetës në pjesën e parë, me Dibala e Bernardeski që goditën me radhë traversën dhe shtyllën.
Ndërkohë, në fundin e këtij fraksioni loje ishte Kaljari që u tregua shumë më i rrezikshëm, me Shçzesnjin që u detyrua të bënte disa ndërhyrje të njëpasnjëshme për të shpëtuar portën e tij nga gola të sigurt.
Kaljari fitoi besim dhe në pjesën e dytë provoi të shënonte përballë Juventusit, por u godit në momentin më të mirë, kur Duglas Kosta gjeti Bernardeskin në zonë dhe ky i fundit nuk gaboi duke mposhtur Rafel për t’i dhënë fitoren 1-0 bardhezinjve.
Megjithatë, ndeshja në fjalë ka shqetësuar jo pak trajnerin Alegri, pasi fushën e lojës e lanë para kohe Dibala dhe Khedira, i pari për një dëmtim në kofshë që dukej serioz dhe i dyti për një goditje në kokë.