Armando Sadiku duhet të bëhet gati për një konkurrencë shumë më të fortë në pjesën e dytë të sezonit, nëse do të vazhdojë të mbetet pjesë e Legias së Varshavës.
Afrimi i brazilianit që ka luajtur për Kroacinë, Eduardo, nuk e ndihmon sulmuesin shqiptar, sidomos duke llogaritur se në klub shohin 35-vjeçarin si titullar në vazhdimin e sezonit.
residenti i Legias së Varshavës, Dariusz Mioduski, ka konfirmuar në një intervistë se ka shpresa të mëdha se Eduardo mund të bëjë diferencën për klubin e tij dhe e sheh si një gjahtar goli që i mungonte skuadrës, praktikisht duke kaluar në plan të dytë Sadikun.
“Eduardo do të ndihmojë Niezgoda, ai mund të mësojë shumë. Me të mund të luajmë me dy sulmues. Eduardo mund të na sjellë edhe tifozët në stadium. Na mungonte një gjahtar zone dhe erdhi këtu për tituj, është ende i uritur. Edhe nëse do të luajë me 50% të asaj që jepte 10 vite më parë, ai do të jetë një ndihmë e madhe për ne gjithsesi.
Çfarë do të ndodhë me Sadikun? Gjithçka është e hapur. Por Sadiku dëshiron të luftojë për vendin e tij, ai nuk dorëzohet. Kjo më pëlqen”, ishin fjalët e presidentit të Legias së Varshavës.