Kukësi i Peter Pakult po shfaq në këto ditë të para të fazës përgatitore një fytyrë krejt tjetër nga skuadra e brishtë e cila nën urdhrat e Milinkoviç zhgënjeu në pjesën e parë të sezonit.
Ekipi verilindor, ka regjistruar sot fitoren e dytë në fazën përgatitore në Antalia, duke mundur me shifrat 2-1 me përmbysje skuadrën e Bursaspor.
Kjo e fundit kishte mposhtur 3-0 Skënderbeun vetëm dy ditë më parë dhe dominoi plotësisht pjesën e parë të ndeshjes ndaj kampionëve në fuqi të Shqipërisë duke gjetur golin e avantazhit me një goditje dënimi të Bataja.
Por në pjesën e dytë, skuadra shqiptare dhuroi një lojë krejtësisht ndryshe, duke sulmuar vazhdimisht në kërkim të golit dhe e gjeti atë pasi një harkim i Imamit nga krahu i djathtë përfundoi në rrjetë pa u prekur nga askush. Pak minuta më vonë, një kundërsulm i shpejtë i Shkodrës solli edhe golin e përmbysjes 2-1, rezultat që nuk do të ndryshonte deri në fund edhe pse të dy ekipet kishin raste të tjera për të shënuar.
Dy ditë më parë, skuadra e Kukësit mundi ekipin e Kajserispor me shifrat 2-1 në ndeshjen e parë përgatitore.