Pas kampionatit italian, futbollistët shqiptarë po fillojnë të mbipopullojnë edhe kampionatin spanjoll të futbollit. Armando Sadiku pritet që të firmosë në orët e ardhshme kontratën që e lidh me ekipin e Levantes, ndërsa të njëjtën rrugë do të ndjekë në verë Kamer Qaka. Mesfushori i cili aktualisht është pjesë e Politeknika Iasi, është në bisedime me klubin e Getafes, i cili është gati të investojë rreth 1 milionë euro për kartonin e tij.
Gjithçka është zbuluar nga biznesmeni rumun Sergiu Dan, i cili është autorizuar nga klubi i Politeknika që të bisedojë me skuadrën spanjolle.
“Gjatë këtyre ditëve jam në bisedime me Ramon Planes, drejtorin sportiv të klubit të Getafes. Ata po kërkojnë një mesfushor qendre dhe Kamer Qaka ka aftësitë teknike që të dalë nga mbrojtja me topin në këmbë, ka ritëm të mirë loje dhe në duelet një kundër një. Ia propozova Qakën klubit të Getafes dhe ata po e monitorojnë. Mendoj se ka shumë mundësi që ky transferim të bëhet në verë. Qaka ka cilësitë që të luajë në kampionatin spanjoll. Nga burime të sigurta unë e di që ai po monitorohet edhe nga Las Palmas. Kam folur edhe me zyrtarë të këtij klubi dhe ata ma konfirmuan një gjë të tillë”, shpjegoi Dan për mediat rumune.
“Sigurisht, Getafe dhe Las Palmas po kërkojnë një lojtar që të transferohet që tani. Por Qaka është i ri, nuk ka eksperiencë, nuk njeh gjuhën dhe futbollin e atij vendi. Ai vjen nga futbolli nordik dhe mund të ketë probleme në përshtatjen në Spanjë në këtë moment. Por nëse vazhdon në kampionatin rumun deri në verë dhe luan siç ka bërë deri tani, shanset e tij të tranasferimit rriten në mënyrë të ndjeshme. Periudha që do të kalojë te Iasi do ta ndihmojë më shumë”, deklaroi ndërmjetësi rumun.
“Getafe u interesua për të pasi dëgjoi ofertën që ai kishte marrë nga Kraiova. Ata dëgjuan që Politeknika Iasi refuzoi 350 mijë euro dhe janë gati të ofrojnë një shifër më të lartë, rreth 1 milion euro, pasi e kanë kuptuar se po flitet për një futbollist me vlerë”, ishin fjalët e Sergiu Dan.