Nëse çdo gjë do të vazhdojë në këtë mënyrë, ashtu si llogaritë janë në javën e 18 të Superiores, atëherë Teuta duhet të përgatitet për luftën e ashpër të mbijetesës.
Ekipi i Stavri Nicës nuk po arrin të kthehet tek rezultatet dhe kjo është duke u pasqyruar thuajse çdo javë në kampionat. Sipas një postimi në “Facebook” të klubit të Teutës, trajnerit të këtij ekipi i është sosur durimi me futbollistët e ekipit.
“Duhet të sakrifikoni për të arritur objektivin që ka klubi. Është e turpshme kjo situatë ku ndodhemi dhe ju duhet ta nxirrni ekipin nga kjo gjendje duke më ndjekur mua. Sukseset nuk vijnë rastësisht, por duke punuar në fushë. Futbollistët e tjerë sakrifikojnë, ndërsa ju i keni të gjitha kushtet dhe i bini të mirës me këmbë.
Nuk besoj se ka ndonjë ankesë për kushtet në të cilat stërviteni, pagën apo diçka tjetër. Pra klubi ka bërë më të mirën për ju, po ju çfarë keni bërë për të arritur objektivat e klubit. Nga ndeshja me Laçin dua të reagoni dhe të jepni shpirtin në fushë, dua skuadër agresive. Mos të mendoheni dy herë kur t’i ndërhyni kundërshtarit”, janë fjalët e Nicës drejtuar futbollistëve.