Partizani-Laçi/ Dalipi: Humbën një mundësi për të kapur vendin e tretë; Mezani: I kënaqur me pikën

10 Shkurt 2018, 19:33Sport TEMA

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, foli pas barazimit me Laçit.

Tekniku i te kuqve u shpreh se ekipi sot humbi nje mundesi te arte per te kapur vendin e trete.

Ai tha se ekipi luajti mire dhe eshte ne forme, por shperdoroi shume raste.

Është për ardhur keq, pasi sot kemi humbur një mundësi të artë për të kapur vendin e tretë. Vinim nga një seri ndeshjes pozitive. Jemi skuadra më në formë, duke parë edhe rivalët. Kemi një rritje të jashtëzakonshme. Shpërdoruam një rast të pastër me Bardhin, por kam edhe një dyshim për pasin e Lukas për Asanin. Është një pozicion i rregullt, ky arbitri i ka rënë bilbilit përpara.

Nëse do kishim shënuar gol aty, ndeshja do të kishte marrë një rrjedhë tjetër. E dinim vështirësinë ndaj Laçit. Në një moment na shpëtoi edhe Albani, pasi e dinim që do përdornin kundërsulmin. Në fund, nuk ia arritëm dot qëllimit.

Në merkaton e janarit jua kam thënë që nuk është e lehtë të gjesh lojtarë të lirë. Duke pasur nën kontratë Çanin, menduam që të presim atë. Progni dhe Bardhi kanë punuar shumë mirë deri tani, dhe janë adaptuar tek ai pozicion ku luajnë. E kapëm një herë në kundërsulm Laçin, por nuk arritëm të shënonim. Skuadra është rritur shumë, ka ndodhur një revolucion. Blerjet që kemi bërë besoj se kanë qenë më të mirat e mundshme për janarin.

Pritshmëritë tona janë të mëdha, por duhet edhe pak fat në të tilla raste, sepse një gol ndryshon shumë. Kemi shumë besim tek skuadra, pasi ajo që po prodhojmë, na jep besim edhe për Kupën.

Rasti i Lukasit është pak specifik. Ai ka kaluar një gjendje gripale, të cilën edhe sot i shfaqi në fushë, ishte i plogësht. Kur një sulmues është në të tilla kushte, nuk mund të japë maksimumin. Më pas spostuam Trashin në vend të Lukasit, dhe Kotobellin në mbrojtje. Edhe Ramadani u fut në lojë, por Laçi kishte shumë forca mbrapa, dhe nuk arritëm dot te goli. Ndryshimet erdhën rastësisht.

Për një skuadër që do të fitojë, një terren jo i mirë i shton vështirësitë për këtë rezultat. Një terren i tillë i vjen në ndihmë Laçit, që vjen me objektiva për barazim. Laçi e meritoi plotësisht barazimin që mori sot”, u shpreh Dalipi.

Kurse trajneri i Laçit, Gentian Mezani u shpreh:

Jam i kënaqur me pikën ndaj Partizanit. Ne erdhëm këtu për të qenë sa më shumë në ekuilibër dhe për të mos pësuar gol. E dinim që do të ishte e vështirë, pasi Partizani vinte pas një fitore ndërsa ne nga barazimi.

Terreni nuk na lejonte që të dilnim në lojën tonë, ndërsa kemi tentuar të provojmë disa aksione sulmuese. Partizani është një konkurrent direkt dhe më vjen mirë që e lamë poshtë vetes, madje ndeshjen e radhës me të e kemi në Laç.

Objektivi i vetëm për Laçin është vetëm ndeshja e radhës, ajo në Kupë. Ne nuk jemi “maçja e zezë” e Partizanit, megjithëse i kemi marrë 7 pikë në ndeshjet direkte. Kemi gabuar më pak në këto ndeshje, ndërsa Partizani ka gabuar më shumë.

Kishim një problem, pasi Bardhi vjen nga një dëmtim dhe po mundohemi ta fusim sa më shpejtë në ritmin e duhur. Pjesa e dytë ishte disi më ndryshe, por në pjesën e parë na kanë vënë më shumë në vështirësi”, është shprehur Mezani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje