Pas reaksioneve që ka pasur në publik rreth deklaratës së Lulit rreth kundërshtisë që ai ka për presidentin kombëtar, dhe sidomos shpjegimi se nuk na duhet një hajdut më shumë, pasi i kemi dy, Kunati bëri shpjegimin publik, për të shuar keqkuptimet:
“Të dashur demokratë!
Deklarata e Lulit kundër presidentit kombëtar është keqkuptuar.
Luli nuk ka synuar të fyejë as Thaçin e as Metën, por të shpjegojë se është e vështirë të gjendet konsesus për një emër që të bashkojë gjithë shqiptarët.
Nga studimi që ka bërë departamenti i zhvillimit ekonomik në PD, rezulton se shumica e shqiptarëve japin pëlqimin e përbashkët për domaten, specin, qepën, shalqinin, fasulen, pataten dhe portokallet.
Sipas studimit tonë, kjo përbën rreth 90 për qind të shqiptarëve.
Kjo është një shifër inkurajuese dhe një parti serioze kur flet, bazohet mbi statistika.
Nga statistikat tona, rezulton se shqiptarët i bashkojnë pikërishtë këto perime dhe fruta, dhe këto realisht duhet të luajnë rolin e presidentit kombëtar.
Pra, duhet të krijojmë një treg të përbashkët për to, dhe jo një president të përbashkët.
Edhe kur foli për dy presidentët, Luli ka parasysh se sondazhet për to, japin vetëm 10 për qind mbështetje.
Ndaj në këto kushte, është më mirë të gjejmë gjëra që na bashkojnë, se sa gjëra që na ndajnë.
Në këtë pike, Luli është dakord që të bëhet një studim tregu për të pasur një balancë ne eksport- importet mes dy vendeve për këto produkte.
Shqipëria të përqëndrohet tek shalqini, portokallet dhe domatja, kurse Kosova tek speci, patatja dhe fasujla.
Kjo do të bëjë që situata të jetë e balancuar dhe të mos prodhohen defiçite në eksportet dhe importet mes dy vendeve.
Gjithë interpretimet e tjera të deklaratës janë dashakeqe”, përfundoi Kunati.
Pasi dëgjoi deklaratën, ish- deputeti Ruli dha pëlqimin e vet:
“Gjatë i ke rënë kësaj deklarate, biro.
Mendoj se këto janë shumë produkte dhe do ngatërrohesh në llogari.
Bjeri shkurt, thuaj që shqiptarët i bashkon më shumë se çdo gjë leku.
Kush paguan, ne bëhemi me të”.