Sot Luli ka bërë një deklaratë për shtyp, ku thotë se “1747 biznese u mbyllën vetëm në janar”.
Kunati, i cili e dëgjoi deklaratën ende pa dalë nga shtëpia, u shqetësua seriozisht.
-Pse je nxituar me këtë deklaratë, i tha. Na ke futur në telashe.
-Pse të kam fut në telashe, tha Luli? E kam të saktë shifrën.
Ma tha njëri që ka qenë shofer në Tatime dhe tani ka aty një shok që njeh sekretaren e drejtores.
-Puna është se vetëm unë në janar kam hapur dy kompani të reja, tha Kunati.
Kompania e motrës, d.mt.h e gruas tënde, është e gjashta në Shqipëri.
Po sikur të dalë PS dhe të thotë jo vetëm që nuk janë mbyllur, por Kunati ka hapur dhe dy kompani të reja, kurse kompania e gruas së Lulit është e gjashta në vend?
-Ne i kemi të justifikuara, tha Luli, se kemi marrë lekët e pallatit.
Puna është tek të tjerët që nuk kanë çfarë të marrin.
-Po si t’ua shpjegojmë njerëzve që ne dhe në opozitë shtojmë bizneset, kurse ata që votojnë për qeverinë, mbyllin bizneset?
-Mendoje vetë, i tha Luli.
Pas kësaj, Kunati filloi të vrasë mendjen dhe bëri një deklaratë sqaruese për situatën:
“Të dashur demokratë!
Të gjithë ata që shajnë dhe fyejnë se gjoja opozita nuk e do qeverinë dhe zhvillimin e shpejtë ekonomik të saj, sot nuk kanë gojë të flasin.
Ju të gjithë e patë deklaratën e Lulit se “1747 biznese u mbyllen vetëm në janar”. Kjo është super e vërtetë.
Por për këtë, nuk ka faj opozita.
Ne jemi munduar me mish e me shpirt, të ndihmojmë në hapjen e biznesit.
Ne jo vetëm nuk kemi inkurajuar mbylljen bizneseve, por kemi dhënë kontributin tonë edhe familjar për zhvillimin e biznesit.
Personalisht unë kam hequr lekët e bukës së gojës për të hapur biznes.
Motra me mish e shpirt ka punuar të rrisë kompaninë e saj dhe sot kompania e motrës, d.m.th e Lulit, është e gjashta në Shqipëri.
Sapo morëm vendimin nga gjyqi i Strasburgut për 13 milionë eurot e pallatit, menjëherë vendosa të hap dy kompani të reja në janar, me qëllim që t’i përdorim këto lekë për të mirën e popullit.
Ne mund t’i çonim ato dhe në Holandë apo parajsa fiskale, por kemi vendosur t’i investojmë këtu.
Kjo është shenja më e qartë, që kjo opozitë është konstruktive dhe mendon jo vetëm për veten, por dhe për zhvillimin e Shqipërisë.
Duke përdorur lekët e mia për të hapur biznese të reja, unë njëkohësisht jap shembullin tim personal, se nuk duhet të dorëzohemi, por të luftojmë dhëmbë për dhëmbë me qeverinë, për biznese të reja.
Për këtë kam folur dhe me Zenin, dhe ai do zgjerojë dyqanin e rrobave të brendshme në Bllok, si shenjë sfide ndaj qeverisë dhe ndaj atyre që i kontrollojnë llogaritë në Tatime.
Edhe Karmina do shtojë udhëtimet në botë, që të posojë foto dhe të fitojë para nga Instagrami, siç thotë dhe Doktori.
Ne nuk mudn të dorëzohemi.
Shfra që deklaroi Luli sot është e lartë, por ata janë dezertorë.
Opozitarë të vërtetë, janë ata si puna jonë, që sfidojnë qeverinë dhe rrisin biznesin në opozitë.
I juaji, Kunati!”