Kunati është në hall këtë radhë me këtë punën e Izet Haxhisë. Ai nuk e ka njohur Izetin se kur ka ardhur më 2005 ai ishte në arrati. Por mban mend që Luli është përpjekur shumë të bënte letra për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Kur dëgjoi që do ekstradohej u gëzua shumë dhe i telefonoi Doktorit.
-E more vesh,- i tha. Lajm i madh. Atë Izetin do ta sjellin.
-Ashtu, si..dmth do ta sjelli Noriega.. hëm. Edi Rama e bën këtë.
-Izetin Doktor, atë që na ke thënë që ka vrarë Azemin.
-E bën Noriega. Ka fol me Erdoganin, duan me destabilizu opozitën. Në asnjë mënyrë nuk do ta lejojmë.
-Pse nuk e ka vrarë ky Azemin Doktor?
-Nuk kupton ti. Lere. Duhet me u çu në protesta të mëdha. Ta presim me protesta në Rinas dhe ta rrëzojmë këtë qeveri për të shpëtuar opozitën. Në asnjë mënyrë nuk duhet me lejue një atentat të tillë. Është thikë pas shpine për PD.
-Po ne e kemi kërkuar vetë Doktor. Mendova se ishte lajm i mirë!
-E kena kërkuar kur ishim në pushtet dhe e dënonim tamam me drejtësi të ndershme. Tani drejtësia është në dorë të Noriegës. Ai po sjell vrasës me pagesë për opozitën. Në asnjë mënyrë.
-Më fal Doktor se nuk e dija .
-Ata duan të thonë se tani u bë reforma në drejtësi dhe mund të gjykohet por gabohen rëndë. Nuk do ta lejojmë kurrë. Azem ti je gjallë!. Prej nesër gati, që kur të vijë në Rinas të nisim protestën.
-Ta ngrejmë çadrën në Rinas Doktor?
-Jo çadër në asnjë mënyrë. Protesta dhe vetëm protesta. Qeveria po përpiqet të na trembë, por ne nuk dorzohemi. Protesta çdo ditë deri në bllokimin e drejtësisë së Noriegës.
Kunati u hutua shumë nga biseda. E mbylli nga Doktori dhe mori Lulin.
-Jemi në hall me këtë ardhjen e këtij Izetit,- tha. Doktori thotë duhet të nisim protestat çdo ditë kundër tij.
-Dakord,- tha Luli. Ta shtojmë tek pikat e protestës më 20 shkurt. Do protestojmë kundër votës për Jeruzalemin, kundër ekstardimit të Izetit në Shqipëri dhe kundër ekstradimit të Nazërit në Itali. U kompletua axhenda.