Një javë plot me polemika ajo që lamë pas, ndoshta më e errëta në këtë sezon për arbitrat, që nuk është se janë vënë për herë të parë në qendër të kritikave.
Favore të dukshme ndaj disa skuadrave, mohime të po të njëjtit standard ndaj disa të tjerave, duke lënë një hije të shëmtuar mendimi se po luhen edhe skenare.
Për problematikën e javës së kaluar e deri tek moskalimi i testeve nga dy arbitrat tanë të FIFA-s, Juxhin Xhaja dhe Eldorian Hahmiti, për “Telesport” ka folur ish-arbitri ndërkombëtar, Lorenc Jemini.
“Nuk mund të them se është java e turpshme e arbitrimit, por mund të them se ishte një javë e vështirë me shumë gabime, që kanë ndikuar edhe në fatin e ndeshjeve.
Nuk e di nëse është paaftësi e arbitrave, papjekuri e tyre, mosha e re, nuk i japin rëndësi të duhur kampionatit, nëse të janë të korruptuar apo komanduar, pasi e gjithë kjo histori në javët kur isha unë në 1 javë ndodhte një gabim, ndërsa tashmë ndodhin 5 gabime në 5 ndeshje.
Arbitrat duhet të kuptojnë se nuk po arbitrojnë ndeshjet e fëmijëve, por janë duke arbitruar ndeshjet e Superligës.
Më tepër sesa gabime për shkak të qëllimeve tendencioze, mua më duken si gabime foshnjore që vijnë nga paaftësia e arbitrave. Kjo pasi ata dëmtojnë gjithmonë të dyja palët.
Nuk shoh ndonjë gabim me tendencë të arbitrave, përveç rastit të Laçit me Flamurtarin, të cilën e përjashtojë, pasi është e vështirë për t’u gjykuar. Por më pas Laçi është penalizuar në disa takime të tjera.
Duket sikur ka ndonjë tendencë, por nuk jam në mendjen e atyre arbitrave. Flamurtari është më i prirur t’i kërkojë gabimet tek të tjerët sesa te vetja, ky është gjykimi im.
Xhaja dhe Hamiti përfaqsojnë vendin tonë në FIFA dhe dështimi i tyre duhet të shihet pak më gjerë. Këta arbitra duhet të përgatiten në të gjitha mënyrat përpara se të mbërrijnë atje.
Nëse nuk arrin të marrësh testimet fizike, atëherë nuk të merr njeri seriozisht më. Mendoja se ata do t’i merrnin testimet fizike, pasi testimet teorike janë më të vështira”, është shprehur Lorenc Jemini.