Skela: Futbollistët e Kombëtares janë me fat, më ka munguar një “Panuçi” gjatë kohës time

22 Mars 2018, 16:11Sport TEMA

Një figurë e njohur e kombëtares shqiptare, ish-mesfushori Ervin Skela, ka komentuar ekipin e Panuçit dhe mënyrën e përgatitjes së teknikut italian për ndeshjen me Norvegjinë.

Në një intervistë për “Supersport”, Skela është shprehur se Panuçi i ndihmon futbollistët e tij edhe më këshilla, ndërsa kjo gjë ish-mesfushorit i ka munguar gjatë kohës së tij.

“Është e vështirë të them tani se si e shoh unë ekipin kombëtar, pas arritjes në europian të De Biazit. Aktualisht kemi të bëjmë me një cikël të ri, me ardhjen e Panuçit, por është vetë trajneri që i sheh futbollistët sesi ecin me ekipet e tyre.

Më pëlqeu shumë stërvitja që po organizonte Panuçi ndaj Norvegjisë, pasi kishte shumë komunikim dhe këshilla për lojtarët. Ata janë me fat pasi kanë një trajner me eksperiencë shumë të madhe.

Unë nuk kam pasur shumë këshilla nga trajneri gjatë kohës time të parë në Kombëtare, sa i përket këshillave në fushën e lojës për vendosjen dhe pozicionimin tim. Ishte hera e parë që e shihja stërvitjen e Kombëtares në drejtimin e Panuçit dhe më ka lënë përshtypje pozitive.

Në futbollin modern ka humbur “10-shi” i mirfilltë, kanë ndryshuar shumë kohërat dhe është bërë shumë herë më i shpejtë. Tani duhet të shënojë dhe mbrojtësi, ndërsa në kohën e tona kanë qenë zonat më të hapura. Futbollistët tashmë janë më të përgatitur taktikisht dhe teknikisht.

Me Izraelin ne e pamë shumë se çfarë ndodhi në Shqipëri, nuk është luajtur futboll dhe ne e treguam veten tonë atje, duke fituar me rezultatin 3-0. Skocia është kundërshtar i vështirë që e bazon lojën me topa të gjatë dhe atje duhet treguar vlera jonë. Pas kualifikimit synojmë më shumë, duke marrë maksimumin dhe kryesimin e grupit në Ligën e Kombeve.

Jam krenar që kam ndenjur 4 vite te Frankfurti dhe që ndodhem në legjendat e ekipit gjerman. Jetoj me familjen time në Frankfurt dhe në klub shërbej te akademia e futbollit për fëmijët, duke i ndihmuar ata për t’i dhënë ato këshilla që unë kam marrë si futbollist”, është shprehur Ervin Skela.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje