Kukësi në dilemë për të ardhmen e Sindrit Gurit. Pasi shiti për 120 mijë dollarë Elis Bakajn në kampionatin bjellorus te Shaktjor Soligorsk, klubi verilindor po mendon të privohet edhe nga shërbimet e golashënuesit tjetër të mbetur në ekip, Sindrit Guri.
Sulmuesi shkodran i cili ka shënuar 17 gola me Kukësin në këtë sezon në të gjitha kompeticionet kërkohet në Korenë e Jugut nga klubi i Ganguon që pas 3 javëve të para të kampionatit në këtë vend ka grumbulluar pikë të plota 9.
Në Korenë e Jugut merkato mbyllet më 29 mars dhe te kampionët e Shqipërisë po mendohen seriozisht se çfarë të bëjnë me të ardhmen e bomberit shkodran.
Oferta e Ganguon për kartonin e Gurit në drejtim të Kukësit është në shifrën e 400 mijë eurove, një shumë e konsiderueshme kjo.
Por nëse Kukësi vendos të privohet nga 24-vjeçari në këtë fazë të sezonit do të mbetej zbuluar në sulm sepse pas Bakajt do të humbiste një tjetër golashënues dhe afrikani Amido Balde i cili ende nuk e ka provuar shijen e golit me verilindorët mund të ishte shumë pak në këtë repart për të realizuar objektivat sezonalë.