Flamurtari humbet gjyqin e radhës në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve me portierin Ilion Lika, i cili aktualisht është pjesë e Tiranës. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në institucionin e futbollit shqiptar se DHZK, pasi ka shqyrtuar pretendimet e futbollistit, ka vendosur në favor të këtij të fundit për një vit rroga të pashlyera në sezonin 2014-2015.
Në fakt, Lika ka pretenduar 60 milionë lekë të vjetër, por vendimi përfundimtar ka qenë për 50 milionë lekë të vjetër që klubi i Flamurtarit duhet t’i shlyejë 37-vjeçarit.
Gazeta zbulon se një shifër prej 10 milionë lekësh të vjetra nuk kanë shkuar në favor të lojtarit, pasi për një periudhë gjashtëmujore, ai ka qenë i dënuar nga Komisioni i Etikës. Në këto kushte, DHZK ka bërë këtë zbritje, duke i ulur sadopak koston klubit, që nuk e ka pasur në dispozicion Likën nga prilli i vitit 2015 deri në muajin dhjetor të këtij viti, kur ka qenë periudha e shlyerjes së dënimit.
RREZIKU PËR EUROPËN
Klubi i Flamurtarit rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Kupat e Europës, gjithnjë nëse kualifikohet sportivisht pas përfundimit të këtij sezoni. Duke qenë se klubi është paditur nga shumë ish-lojtarë dhe ish-trajnerë në këto vitet e fundit, madje shumica e gjyqeve janë humbur dhe presin të ekzekutohen, UEFA mund të lërë jashtë Flamurtarin për shkak të mosplotësimit të kriterit financiar. Bëhet fjalë për “fari-play”-in financiar, ku qeveria e futbollit europian nuk toleron.
Gjithsesi, do të jetë vendimi i Komisionit të Licencimit në FSHF që do të zbardhë përfundimisht nëse Flamurtari do të marrë OK-in ose nuk do të licencohet, siç ndodhi edhe në sezonin e kaluar.
Një situatë vërtet kritike, në një kohë që vjen pikërisht në sezonin kur klubi ka shanse reale për të qenë në Europë, qoftë përmes kampionatit, ashtu edhe prej Kupës, ku është i kualifikuar në turin gjysmë- final. Më 5 prill, vlonjatët do të luajnë ndeshjen e parë ndaj Skënderbeut.