Objektivat e Gurit: Një kampionat i huaj, “Këpuca e artë” dhe shkoj në Kombëtare

28 Mars 2018, 17:11Sport TEMA

Ai është një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar dhe këtë sezon po zhvillon një supersezon me Kukësin, ku është pikë referimi.

Sindrit Guri, deri në këtë fazë të kampionatit, ka shënuar 11 gola, duke e ndihmuar skuadrën verilindore të marrë pikë të vlefshme dhe të renditet e dyta në Superiore.

Në një intervistë për “Telesport”, Guri ka folur për disa nga temat më të rëndësishme, që lidhen me karrierën e tij. Sulmuesi shkodran flet edhe për garën e “Këpucës së Artë” të Superiores, duke thënë se me largimin e Bakajt, ai kërkon që ta fitojë këtë trofe individual.

Shtatlarti i skuadrës verilindore flet edhe për objektivat me Kukësin këtë sezon, por edhe për rivalët më të fortë të kampionëve të vendit në fuqi.

Po ashtu, Guri ka dhënë mendimin e tij edhe për ftesën e munguar nga Christian Panucci në kombëtare. Ai shprehet se e kishte pritur një thirrje nga kombëtarja, por nuk është i zhgënjyer dhe do të vijojë të punojë, që një ditë të jetë pjesë e fanellës kuqezi.

Ndër të tjera, në këtë intervistë, Sindrit Guri ka treguar edhe dëshirën e tij për të luajtur në një nga kampionatet më të forta në Europë. Sulmuesi shkodran veçoi kampionatin gjerman, si të preferuarin e tij, por, sigurisht, duke mos lënë pas as kampionatin holandez dhe belg.

“Kam qenë pjesë e Vllaznisë në moshën 18-vjeçare, por nuk kam pasur hapësirat e nevojshme. Kam shpërthyer me Kukësin dhe nuk është e thënë që një futbollist të shpërthejë që në moshë të vogël. Shpresoj dhe do të përpiqem me të gjitha mënyrat ta arrij të fitojë “Këpucën e Artë”, sepse jam afër vendit të parë në klasifikim. Por kuptohet që kryesore është që Kukësi të arrijë objektivat e sezonit.

Sezonin e kaluar po merrja hapësirë gradualisht nga trajneri Gjoka, kurse këtë sezon ka ndryshuar loja e Kukësit. Janë bërë shumë lëvizje dhe mendoj se po bëjmë mirë në këtë moment.

Kombëtarja? Nuk mund të them se jam i zhgënjyer, thjesht ishte një dëshirë të isha pjesa e grumbullimit të fundit. Normalisht, e pres një ftesë në të ardhmen dhe do të punoj me kokën ulur për ta arritur këtë objektiv.

Për momenti jam i fokusuar te Kukësi, për të ardhmen nuk mund të flas tani. Klubi i Kukësit po bën një punë të mirë edhe në këtë aspekt, në atë të menaxhimit të lojtarëve. Klubi vendos por pjesën e kartonit, unë kam për detyrë të bëj më të mirën time në fushën e lojës.

Do të preferoja një kampionat europian, që të përmirësohem profesionalisht, do të preferoja Belgjikën, Holandën, ose Gjermaninë. Kurse për klube shqiptare mund të them se nuk ka të tjerë veç Kukësit dhe Vllaznisë. Janë vetëm këto dy skuadra për mua.

Trajneri ka ndikuar në lojën time, që po shënoj më shumë, sepse më parë kam luajtur në disa pozicione të tjera. Tani jam pika e referimit për ekipin, pas largimit të Bakajt, pasi jam i vendosur në majë të sulmit. Trajneri Pakult më këshillon dhe më ndihmon shumë në aspektin psikologjik. Më ka thënë: ‘nuk është e thënë të shënosh ndeshje për ndeshje”.

Kukësi ka bërë ndeshje shumë të mira dhe ka marrë rezultate të kënaqshme. Partizani është më afër me ne se ekipet e tjera.

Nuk ndjehem mirë kur i shënoj Vllaznisë, por jam profesionist dhe nuk bëj kompromis. Jam te Kukësi për të shënuar sa më shumë. Bëj punën time dhe kaq”, u shpreh Guri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje