Vllaznia do të luajë kundër Skënderbeut një ndeshje mjaft të vështirë në stadiumin “Loro Boriçi”. Ekipi i trajnerit Ernest Gjoka duhet të sigurojë pikë, madje të guxojë dhe për fitoren, pasi Teuta mund të fitojë me Laçin dhe durrsakët mund të parakalojnë ekipin shkodran në renditjen e klasifikimit.
Takimi kundër Skënderbeut është shumë i vështirë, pasi korçarët janë në një formë mjaft të mirë dhe vitet e fundit kanë treguar se nuk kanë probleme për të fituar në Shkodër.
Tekniku i kuqebluve, Ernest Gjoka, ka marrë disa lajme të mira para ndeshjes me korçarët. Rikthime të rëndësishme për formacionin e tij, pasi portieri Alen Sherri dhe mesfushori Erald Çinari do të kthehen pranë ekipit pas grumbullimit me Shpresat në ndeshjet e humbura kundra Sllovakisë.
Pjesa tjetër e ekipit është e gatshme, përjashtim bën mbrojtësi Renato Malota që nuk i ka zgjidhur ende problemet me drejtësinë dhe duket se do të mungojë gjatë për trajnerin Gjoka. Lojtari është i rëndësishëm për formacionin e numrit një të stolit, shkruan EDS.
Një tjetër motiv shtesë për trajnerin Ernest Gjoka është dhe premioja që deputeti Tom Doshi do të akordojë sërish për ekipin kuqeblu.
Deputeti i Shkodrës po i qëndron pranë skuadrës së Vllaznisë në këto momente të vështira dhe ka premtuar se ekipi do të ketë premio për çdo fitore, por në rastin e korçarëve me shumë mundësi kjo shifër do të vendoset dhe për një barazim të mundshëm.
Nuk përjashtohet mundësia që Doshi të rrisë dhe shpërblimin për futbollistët shkodranë duke parë rëndësinë e ndeshjes, por dhe rëndësinë që ka ky takim.