Flamurtari, Bicaj: Me Skënderbeun luhet deri në sekondën e fundit, në finale dua Laçin për revansh

6 Prill 2018, 17:08Sport TEMA

Flamurtari bëri më në fund kthesën në Korçë, pas një serie humbjesh të njëpasnjëshme, që kishin kompromentuar objektivat e sezonit në një farë mase.

Fitorja në fushën e Skënderbeut, e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, i ka çliruar futbollistët e skuadrës vlonjate.

Ditmar Bicaj, një nga titullarët më me përvojë në radhët e Flamurtarit, thekson në një intervistë për “Vipsport.al” se ajo fitore ishte shumë e rëndësishme për shumë aspekte, por bën apel për vëmendje maksimale, sepse, sipas tij, kualifikimi nuk është mbyllur në Korçë.

Bicaj komenton penalltinë e dhënë nga Jorgji dhe pohon se në finalen e Kupës do të dëshironte Laçin për revansh. Ja intervista e plotë e mbrojtësit të Flamurtarit:

Ditmar, pas një periudhe shumë të vështirë, fituat në fushën e Skënderbeut. Jeni çliruar?

Mund të them se jemi më të qetë pas asaj fitoreje, sepse dihet që vinim nga një seri ndeshjesh me rezultate negative. Skuadra kishte nevojë për një fitore dhe jemi çliruar pak tani që e arritëm. Por do të thosha se asgjë nuk ka përfunduar, sepse është për t’u luajtur edhe ndeshja e kthimit në Vlorë.

Nuk ju jep siguri fitorja me gol në fushë kundërshtare?

Jemi ne të favorizuar, nuk diskutohet, por do të theksoja se me Skënderbeun luhet deri në sekondën e fundit, sepse është një ekip me shumë përvojë. Do të vijë në Vlorë për të fituar dhe duhet të bëjmë shumë kujdes për kualifikimin.

Ajo penallti e Jorgjit në pjesën e parë ju ka irrituar shumë…

Në fakt, përderisa të gjithë e kanë pranuar se nuk ishte penallti, nuk kam shumë për të thënë në këtë rast. Mendoj se ishte një rast i shkëputur i ndeshjes, një episod, sepse Jorgji mbajti korrekt në pjesën tjetër. Për ne shkoi mirë dhe madje do të thosha se për Flamurtarin ishte një nga ndeshjet më të mira për sa i takonin gjykimit, duke përjashtuar atë episod.

Duket sikur e keni ndarë mendjen të shkoni në Europë nga Kupa tani. Është kështu?

Po kuptohet që me anë të Kupës është më e lehtë dhe rruga më e shkurtër, aq më tepër që kemi fituar ndeshjen e parë dhe jemi pranë finales. Po edhe në kampionat nuk është se do të dorëzohemi. Përkundrazi, do të shtojmë forcat dhe duke pasur edhe kalendarin në favor, pasi luajmë 5 ndeshje në Vlorë dhe 4 jashtë, them se do të përmirësojmë pozicionin në tabelën e klasifikimit.

Laçin apo Kukësin në finalen e Kupës?

Nuk dua të mendojmë shumë për finalen, sepse, siç e thashë, është edhe ndeshja e kthimit dhe me një ekip si Skënderbeu është gjithmonë e vështirë. Por, nëse do të zgjidhja një kundërshtar për finalen e mundshme, do të thosha Laçi. Dihet historia e këtij sezoni, çfarë ka ndodhur në ndeshjet tona, kështu që do të zgjidhja Laçin për revansh.

Sa besoni se do ta çoni një trofe në Vlorë në fund të sezonit?

Besojmë shumë, sepse e meritojmë. Flamurtari ka bërë një sezon pozitiv dhe meriton të shkojë në Europë. Nëse e bëjmë me një trofe të fituar, është diçka shumë e bukur për të gjithë ne, për futbollistët, stafin teknik, presidentin pa dyshim dhe tifozët vlonjatë. Inshallah!

Përsëri ndaj Skënderbeut, por këtë herë në kampionat?

Ndeshje shumë e vështirë dhe kuptohet që Skënderbeu do të vijë ndryshe. Duhet t’ia bëjmë shërbimin kësaj ndeshjeje që të marrim një tjetër rezultat pozitiv.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje