Ali Sowe apo Sindrit Guri? Dilema për “Këpucën e Artë” qëndron midis dy “bomberave” të kampionatit. Ashtu si Skënderbeu me Kukësin ndajnë vendin e parë e të dytë, edhe Sowe me Gurin ndajnë vendet e kreut në klasifikimin e golashënuesve. Sulmuesi nga Gambia udhëheq me një realizim më shumë dhe me avantazhin që Guri mund të mos luajë në ndeshjet e mbetura.
“Do të ishte diçka e mirë “Këpuca Artë”. Janë dhe dy ndeshje, por nuk ka mbaruar asgjë. Do të përpiqem të shenoj sa më shumë dhe pastaj do të bëj llogaritë.”
Një karrierë sigurisht e nisur mes të panjohurave, që dhuron një kampionat i vogël, sidomos për një lojtar që vjen nga Seria A. 24-vjeçari bën një analizë të aventurës së tij në Shqipëri, ku mund të fitojë gjithçka brenda një sezoni.
“I jap merita vetes, stafit që më ndihmoi të punoj. Ndihem mirë fizikisht dhe kjo është më e rëndësishmja që më bëri mirë për të qenë deri në fund në gjendje optimale.
Kur erdha këtu, e kam ëndërruar një ecuri të tillë, sepse erdha për të fituar gjithçka. Jam i kënaqur. Kemi përpara Kupën e Shqipërisë, por dhe “Këpucën e Artë”.
Gjatë kësaj periudhe më ka ndryshuar personaliteti si lojtar. Shoh që kam ndryshuar shumë duke punuar, duke u perpjekur të fitoj gjithçka.”
Te Skënderbeu Sowe ka gjetur ambientin perfekt. E ardhmja është diçka që për momentin nuk e mendon, edhe pse ndaj tij interesi është zgjuar.
“Më kanë pritur mirë këtu. Te Skënderbeu ka djem të shkëlqyer. Osmani është i çmendur, por është një djalë i mirë. Ka zhurma për të ardhmen time. Te Chievo më kanë thënë që nuk do të flasin me asnjë deri në fund të sezonit.” (SS)