Kompania e Kunatit ka nisur punën për organizimin ditor të protestës së disa aktorëve kundër prishjes së Teatrit.
Ai ka marrë përsipër sigurimin e fonisë, skenës dhe publikut, si dhe zgjidhjen e kontradiktave brenda grupseksionit të PD në Teatër.
Disa nga problemet që i kanë dalë gjatë organizimit po kalohen përmes trajnimit. Kurse problemet kryesore po zgjidhen përmes një strategjie personale të Kunatit.
Problemi i parë është grupi i protestuesve kundër parkut të fëmijëve që kanë thirrur në ndihmë.
Këtë grup e ka pas mbështetur me logjistikë ushtarake Strazua.
Ky i fundit u shfaq atëhere dhe me kobure në brez, për t’i dhënë zemër protestës.
Për këtë e thirri Strazon dhe i shpjegoi se në këtë rast, nëse nuk e shmang dot ardhjen me kobure, të marrë një kobure lodër, se meqë aty janë të gjithë aktorë, ajo mund të konsiderohet si mjet pune.
Nga ana tjetër, grupi protestues duhet të lidhet me aktorët e Teatrit, që të marrin disa maska dhe paruke nga Teatri, që të duken grup ndryshe.
Kjo do ta bënte më efektive protestën, pasi njerëzit pastaj mund të kujtojnë se do përfundojë si protesta për parkun e fëmijëve tek Liqeni.
Problemi i dytë është me vendimin për të urinuar çdo natë pas protestës.
Kjo krijon probleme nëse do urinojnë femrat më vete dhe meshkujt më vete, dhe ku do urinojnë.
Për të shmangur konfuzionin, Kunati vendosi të ngrejë dy stenda me perde, pas të cilave aktorët të hyjnë duke u zbërthyer dhe dalin duke u mbërthyer.
Kjo do të mjaftonte simbolikisht që ata të tregojnë se kanë bërë diçka aty pas perdeve.
Nga ana tjetër, duhen marrë masa të shmangen kamerat kurth të lali Erit, që fotografon njerëzit duke urinuar në Tiranë, pasi mund të ndodhë që nëse ai i kap në foto, mund t’i publikojë, dhe kjo mund të krijojë makthe seksuale tek disa aktorë.
Problemi i tretë është vetë përfshirja e PD-së në protestë zyrtarisht.
Pas deklaratës së Lulit, që PD duhet të mbështesë protestën, Kunati është i shqetësuar se mos aktorët e konsiderojnë këtë shfaqje teatri dhe duan pagesë.
Për këtë, ai ka menduar t’u premtojë aktorëve se këto protestat do t’u llogariten si shfaqje teatri, pasi PD të vijë në pushtet.
Kjo zgjidh në një farë mënyre dhe anagzhimin e PD-së për të ardhmen e Teatrit.
Problemi i fundit që ka Kunati, është se grupseksioni i PD në Teatër, i përbërë nga gjashtë ish- deputetë të PD, është i përçarë, dhe kanë rezerva për Lulin.
E vetmja mënyrë që ata të bashkohen dhe të anagzhohen, është që Kunati t’u premtojë se do t’i bëjë përsëri deputetë, dhe kështu, atyre mund t’u dalë pension nga Kuvendi, që është më i lartë se pensioni si aktor.
Plus që në Kuvend, ata edhe mund të mos flasin asnjëherë dhe paguhen, njësoj si në Teatër.