Ibrahimovic: Ja si e zgjidha problemin e Guardiola-s

25 Gusht 2018, 17:21Sport TEMA

Zlatan Ibrahimovic, në një intervistë për ESPN, ka thënë se nuk ka patur probleme me asnjë nga trajnerët e tij, duke përfshirë këtu edhe Pep Guardiola-n. Ibrahimovic është larguar nga Barcelona pas vetëm një viti të kaluar nën drejtimin e trajnerit spanjoll, duke shkruar në autobiografinë e tij:

“Kur më blen mua, po blen një Ferrari. Kur nget një Ferrari duhet t’i fusësh karburantin më të mirë të mundshëm dhe ta shkelës pedalin e gazit deri në fund. Guardiola e mbushur me naftë dhe doli për një xhiro në oborr. Nëse ishte kjo që donte, duhej t’i kishte blerë vetes një Fiat”.

I pyetur nëse ishte i penduar për ndonjë gjë në karrierën e tij, Ibrahimovic tha: “Mendoj se gjithçka që duhej të ndodhte ka ndodhur. Nuk jam penduar për asnjë nga lëvizjet e mia, klubet për të cilët kam luajtur. Kam patur disa momente të vështira, por kjo është një gjë e mirë, sepse këto momente të bëjnë më të fortë”.

“Kam patur vështirësi te Barcelona, në sezonin e parë, por në gjysmën e dytë u përballa me një situatë të çuditshme, me trajnerin (Guardiola) që nuk më fliste dhe kjo ishte diçka e re për mua”, ka shtuar sulmuesi suedez. “Unë nuk kam patur asnjë problem me Guardiola-n, për këtë arsye kjo gjë nuk më shqetëson aspak”.

“Problemin e kishte ai dhe e ndihmova unë ta zgjidhte, duke thënë: ‘Asnjë problem. Unë do të largohem’. Unë nuk jam nga ata që krijojnë probleme brenda skuadrës. Në media thuhet se trajnerët kanë patur probleme me karakterin tim dhe kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam patur probleme me asnjë trajner”, ka përfunduar Zlatan Ibrahimovic.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje