Kombëtarja shqiptare do të luajë sfidën e parë për Ligën e Kombeve me datë 7 shtator në stadiumin “Elbasan Arena” kundër Izraelit.
Një sfidë ku kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Krisitan Panuçi do të kërkojnë që ta nisin me fitore pas disa sfidave jo të mira që kanë bërë së fundmi.
Për të arritur tek suksesi ekipi kombëtar do të kërkojë dhe mbështetjen e tifozave në shkallët e stadiumit.
Dhe ai që i ka bërë thirrje tifozave për të qenë të pranishëm në “Elbasan Arena” është ish kapiteni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana i cili bëri thirrje që ky është momenti i duhur për të mbështetur skuadrën.
“Shqiptarët padyshim duhet të përkrahin siç e kanë bërë shumë herë, disa herë me shumë pasion pasi ka dashamirësi ndaj ekipi kombëtar që nuk mungon dhe nuk do të mungojë asnjëherë, sidomos kur kombëtarja ka nevojë më shumë.
Është një fillim, një kompeticion i ri dhe po ndërtohet skuadra që do të na përfaqësojë për shumë vite dhe sot më shumë se kurrë kanë nevojë për mbështetje.
Në momente vështirësie kur fillon një kompeticion i ri kur ka probleme me dëmtime dhe me skuadra, mbështetja e tifozëve bëhet më e rëndësishme.
Ne si shqiptarë kemi nevojë në këto momente kyçe dhe të vështira që të tregojmë prezencë dhe dashamirësi e ngrohtësi për këtë ekip kombëtar.
Unë i pari do të jem në stadium duke mbështetur me shumë qejf dhe jam i sigurt se do të ndërtohet një skuadër që na jep shumë kënaqësi në të ardhmen”, deklaroi Lorik Cana. (TemA)