Më shumë se një trajner, Oskar Tabarez është tashmë një legjendë e gjallë jo vetëm në vendin e tij. Përveç afeksionit të madh për të nga populli uruguaian, është “Guinness World Records” që tashmë i njeh zyrtarisht dy rekorde. 71-vjeçari ka hyrë në librin e rekordeve me numrin e ndeshjeve në krye të Uruguait, 185 ndeshje, si dhe me numrin e botërorëve, 4 të tillë. Numra që nuk janë arritur më parë nga asnjë trajner tjetër në botë.
Pavarësisht problemit shëndetësor që prej dy vitesh i limiton lëvizjen, Tabarez ka vendosur të mos dorëzohet dhe ka rinovuar për 4 vjet të tjera. Me miqësoret e tetorit nis cikli i pestë i tij në krye të Uruguait. Me 185 ndeshje në stolin e ekipit amerikano-latin, “Maestro” ka kaluar gjermanët Sep Herberger dhe Joakim Lëv, të dytët në klasifikimin e të gjitha kohërave, me nga 167 ndeshje.
Me Botërorët Itali 1990, Afrikë e Jugut 2010, Brazil 2014 dhe Rusi 2018, Tabarez ka barazuar gjermanin Helmut Shën dhe anglezin Valter Uinterbotom, me nga 4 botërorë edhe ata. Kualifikimi i mundshëm për në Katar 2022 do t’i jepte një tjetër rekord Tabarezit.
Kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga ndeshja e parë si trajner i Uruguait, 27 shtator 1988, dhe Tabarez dëshiron ta ndajë gjithçka me tifozët: “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të shkonte kështu. Gjithçka e kam arritur falë mbështetjes së popullit uruguaian dhe familjes sime. Besimi i tifozëve dhe përfshirja e tyre në një projekt të përbashkët, kanë bërë që futbolli uruguaian të ecë përpara dhe të jetë një bazë e fortë për të ardhmen. Kjo ka rëndësi më shumë se rezultatet”, – ka thënë Tabarez.