Nga Andon Andoni
As gjë nuk ndodh,- do mendonte gjithkush prej lexuesve tanë. Do shtrembërosh fytyrën, do zësh hundët me duar dhe do kalosh tutje duke sharë e nëmur nën zë. Shqipëria e mbushur me plehra! Një situatë e njohur nga kushdo prej vitesh, ku në çdo hap që hedh përballesh me papastërti gjithfarësh; në rrugicën tende, përpara shtëpisë, në prag të dyqanit të lagjes, tek lumi përbri, tek stacioni i autobusit, mbi trotuar, nën stolin e lulishtes së spitalit, në oborrin e shkollës, në bregdet, ngado! Secili prej nesh, nën zë, kokëtundës!? S’bëhet ky vend!
Kurse komshiu im Ilmi, nuk përton të marrë fshesën dhe të dalë në rrugë duke mbledhur letrat e patatinave që hedhin fëmijët tek shkojnë në shkollë, mbeturinat e komshinjve që përhapin macet dhe qentë e rrugës, gërnjaret me zë të lartë sa del në rrugicë. Grindet dhe foljet, pa e ditur as vetë, i përdor në vetë të përgjithësuar, ose në veten e tretë, aq sa asnjë prej nesh, kush më shumë dhe kush më pak, nuk e ndjen veten fajtor dhe me faj përpara kësaj gjendjeje. A thua se na i hedhin nga një planet tjetër.
Teksa kujtoj vitet e burgut që ka kaluar në sistemin e diktaturës, i dënuar për agjitacion e propagandë, mendja më thotë se një të tillë “të mirë” ia paska mësuar ajo kohë; që të mos pajtohet kurrë në jetë më pisllëkun dhe mungesën e rregullit që pastron mjedisin.
Shpesh, i zënë në faj dhe për të tjerët, i mbaj anën, në atë punë të herëpashershme që bën tek fshin rrugicën tonë deri në krye nga plehrat. Por jo vetëm kaq. Ai njeri është mësuar që të mbledhë edhe barin e oborrit dhe gjethet e rëna të pemëve, dhe lëkurat e patateve dhe perimeve për t’i ricikluar në një pleh të dobishëm për lulet e shumta, në fuçi apostafat për këtë qëllim. Nga dera e tij shumë rrallë mund të dalë ndonjë mbeturinë adresuar tek koshat e plehrave ndaj dhe e pyes!
Nënqesh, dhe mundohet të citojë ato çka mësuar në jetë, përmes librave që i do shumë.
“Një amerikan i ditur, Llowell, thotë diku në një libër, “ të qeverisesh, të punosh me ndershmëri, të pastrosh dhe të respektosh rregullat, nuk janë se bëhen prej bindjeve universal të pëlqimit, por të detyrueshme prej një autoriteti përfundimtar” dhe shkel syrin djallëzisht. Ligji, forca, ku është!? Dhe ngre zërin e shoqëruar më një gjest sikur të priste drutë e sërës.
Por tek flasim për mjedis të pastër, s’ka se si mos të të shkojë mendja edhe tek disa nga historitë e përbotshme që lidhen me këtë temë. Kështu për shembull, njihet fakti që Frederiku i Madh i Prusisë (1712-1786) që e drejtoi vendin për 46 vite (1740 – 1786) duke bërë shumë reforma që sollën modernizmin e shtetit prusian dhe që e konsideronte veten si “shërbëtorin e parë të shtetit , urdhëronte që gruas që i gjendeshin plehra përpara portës së shtëpisë, t’i pritej dora. Por edhe transformimi i madh i Parisit erdhi me Perandorinë e Dytë të 1852 nën Napoleonin III, i cili dhunoi dhe shkoi në litar jo pak parizienë deri sa pastroi Parisin që të mos derdheshin në Senë papastërtitë.
Shembuj të tillë, se si bota e sotme e qytetëruar ka kaluar përmes vendosjes së autoritetit përfundimtar dhe jo prej bindjeve të pëlqimit, mund të sjellim pafund. Që është momenti, që edhe tek ne ky Autoritet të vendoset një orë e më parë, kjo nuk ka dyshim. Madje dihet që janë ndërmarrë edhe disa fushata për këtë qëllim nga organizmat shtetërorë, ku janë përfshirë aktivistë të shoqërisë civile, nxënës shkollash ndonjëherë dhe më së dukshmi ushtria dhe strukturat e saj. Por kjo është fare pak. Pasi duhet të aktivizohen për këtë qëllim njëherësh edhe mekanizma shoqërorë dhe ato psikologjikë dhe të sferës së edukimit. Them kështu, pasi si shoqëri na mungojnë prej kohësh, disa parime të qenësishme që rregullojnë raportet e rregullit-ligj, me sjelljen dhe edukimin e të mbajturit pastër të vetes dhe mjedisit përreth.
Më ka tronditur shumë, me të vërtetën e hidhur, okeljo e një gazetë shumë kohë më parë, që botonte shprehjen e një të huaji, që pat vizituar vendin tonë në fillimet e demokracisë; “Ç’pret nga këta njerëz që e bëjnë sh…ku t’i zërë?!
Në konceptin e botës së sotme, kur teknologjia dhe informacioni janë çdo ditë në perfeksion, pastërtia si koncept dhe qasje shkon përtej pamjes së jashtme. Ajo është një normë gjithëpërfshirëse që karakterizon një mënyrë të shëndetshme jetese. Por gjithashtu, me rrënjë në virgjërinë e natyrës është edhe në një antagonizëm të gjithkohshëm me botën globale të teknologjisë. Nocioni i një bote të pastër që na rrethon, është dhe duhet të jetë një gjendje e mendjes dhe e zemrës që përfshin normat tona morale deri në përkushtim dhe adhurimin tonë. Siç përmenda, komshiu im Ilmi, që mbledh me përkujdesjen më të madhe çdo gjethe dhe fije bari për ta bërë pleh, i bën me shpirt dhe zëmër këto punë. Jo të gjithë ne e bëjmë në të përditshmen tonë një gjë të tillë. Vëreni re, që koshat e plehrave, janë të atashuar kryesisht pranë vendeve publike dhe sidomos institucioneve si shkolla, spitale, qendra shëndetësore, kopshte etj. Dihet lufta që bëjnë banorët dhe komuniteti, kur “qëllon” që një kosh plehrash që duhej vendosur mbi parimin e largësisë, dendurisë së banorëve, të vendoset përpara portës së X-s qytetari. Di që syresh, kanë paguar edhe ryshfet që mundësisht, koshi i plehrave të hiqet nga perimetri i banesë së tij dhe le të vendoset, diku, pranë shkollës a kopshtit?! Thua se në atë shkollë nuk janë dhe gjithë fëmijët e tjerë, të tijtë dhe të lagjes, që thithin erën e rëndë të mbeturinave? Sigurisht, kjo protestë “e arsyeshme”, ka një bazë të vërtetë. Mungesa e pastrimit të koshave, në kohë dhe çdo ditë, i detyron banorët e lagjes dhe rrugicës, që të ngrihen dhe t’i degdisin koshat,…pranë shkollës dhe qendrës shëndetësore! Dhe aty pranë tyre, ku askush nuk e ka më problem, koshat mund të rinë të mbushur …me ditë të tëra.
Por le të kthehem edhe njëherë në dukurinë e vendosjes së rregullit përmes ligjit dhe shtrëngesës.
Të gjithëve na takon të shohim dikë që sillet me agresivitet ndaj mjedisit. Mua për vete, me dhemb shumë kur shoh bashkëfshatarët e mi, deri dhe kushërinj e të afërm, t’i hedhin mbeturinat e shtëpisë në lumë. Në mes të ditës dhe fare pa të keq. Jam matur e stërmatur ta prish gojën dhe të grindem me ta, por nga “meraku” se do prishemi për hiç gjë, jam stepur e mjaftuar vetëm me ndonjë fjalë teje tu, sa për moral. I vetmi që bëhet i “lig” dhe prej të cilit kanë pakëz droje(por jo të gjithë, se ka dhe nga ato që ia kthejnë “ba,ba,ba, sikur është lumi i joti”) është Vasili që ka shtëpinë mbi lumë dhe që me shpenzimet e familjes e ka sistemuar dhe pastruar lumin për bukuri sa i zë sinori i tij…por edhe ai gërnjaret vetëm për pjesën e tij. Më tutje, si paska rënë zjarri!
E në një situatë të tillë, kryeplaku-shtet në fshat, pi duhan kokëunjur. (Ç’do bëjë dhe ai përpara tërë fshatit që hedh mbeturinat në lumë që nga patate e qepët e deri tek plehu i bagëtive?) Atëherë, kur nuk bëjnë fajde fjalët, le që s’merr guximin kush t’i thotë, a nuk do duhet t’i kthehemi një autoriteti përfundimtar të detyrueshëm-ligjit?! Sigurisht që shteti dhe organizmat përkatëse i janë adresuar këtij shtrëngimi ligjor herë pas here, siç ishte rasti i ndalimit të duhanpirjes në mjedise publike dhe zyra, apo ndalimin e kthimit të disa vendeve publike, qoshet e pallateve, urat e Lanës në banja dhe tualete. Sipas ligjit, dëmtuesit do paguanin gjoba të kripura, por ende dhe sot, asgjë!
Pyetja që shtrohet është : A jemi aq të pastër sa ishim më parë? Dhe sipas të gjitha të dhënave statistikore por dhe të vrojtuara përditshëm, ka shumë të ngjarë që jo. Dhe ndoshta arsyeja kryesore, është mungesa e autoritetit të ligjit dhe oportuniteti i shoqërisë në varganin e gjatë të ndryshimit të vlerave. Sot, ne kalojmë gjithnjë e më pak kohë në shtëpi. Pastërtia vetiake, shpesh ka kaluar në dorën e dikujt tjetër, që paguhet që t’u pastrojë shtëpinë. Për pasojë, mbajtja e një mjedisi të pastër nuk është më një çështje me rëndësi personale. Prej këtej, dhe koncepti i mjedisit të pastër është rrëgjuar dhe ka kaluar tek pjesa e xhepit dhe jo e zemrës dhe shpirtit.
Por me një alternim të tillë të të dyjave, ku më parë të jetë pjesa e xhepit që të të shtrëngojë, të vesh zemrën dhe shpirtin në shërbim të mjedisit së pastër, është një nga qasjet më të mëdha që do ta bëjë shoqërinë tonë dhe vendin tonë, të bekuar në këtë siujdhesën e Balkanit perëndimor.
Komenti im eshte se bagetite duan nji choban te ditur qe tju tregoje rrugen e duhur.
Bagetite e rritura duhet di godasesh te shkojne ne rruge te drejte kurse kafshet e porsalindura duhet ti mesosh duke I mesuar me durim dhe taktike
100% keto taktika japin rezultat
Prandaj chobanit jepi pak kohe ta provoje ose ne qofte se nuk jep rezultat te hiqet the te vihet nji I ri qe ka experience ne pune…
Dikush qe e do vendin e tij