Giacomo Vrioni festoi të hënën 20-vjetorin e lindjes. Urimet për të nga familjarët, miqtë dhe fansat e futbollit kanë qenë të shumta, por sigurisht dhuratën më të çmuar e mori nga Kombëtarja Shqiptare, që brenda pak javësh e katapultoi nga Shpresat tek ekipi A.
Në një prononcim për “Gazzetta dello Sport”, talenti shqiptar që luan me Venezian në Serinë B, foli për emocionet e debutimit me fanellën kuqezi.
“Dhuratën me të veçantë ma bëri Panucci, pak më herët, duke më dhënë mundësinë që të debutoja me Kombëtaren një ditë para se të mbushja 20 vjeç. Ishte një emocion i pabesueshëm, nuk e prisja të luaja në Nations League. Isha në stol, kur më tha se duhej të bëhesha gati. Kur po hyja në fushë, me kërkoi të isha agresiv në zonë, atë që kisha treguar edhe në stërvitje.”
Për fat të keq, talenti kuqezi nuk pati shumë kontakte me topin në humbjen me Izraelin, për aq minuta sa qëndroi në fushë. Ndoshta rezultoi momenti i papërshtatshëm për të debutuar.
Vrioni, rigjen trajnerin Walter Zenga në stol, te Venezia, me të cilin ka punuar kur ishte pjesë e të rinjve të Sampdorias.
“Më grumbulloi për dy ndeshje miqësore, në shtator, kundër Entellës dhe Savonës. I lashë përshtypje të mirë, aq sa për disa ditë u stërvita me ekipin e parë. Është një trajner me shumë personalitet dhe karakter. Nuk e përjetova nga afër atë që ndodhi te Venezia javën e kaluar, ndihesha mirë edhe me Stefano Vecchin.”