Klement Zguri letër Kuvendit: S’ka kuorum për mbledhje të KQZ, s'mund të vazhdojmë veprimtarinë normale

18 Tetor 2018, 17:34Sociale TEMA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prej 11 tetorit ka hyrë zyrtarisht në ngërç për shkak të vakancave të krijuara. Parlamenti duhet të kishte nisur procedurën për zëvendësimin e 4 anëtarëve, por ndërhyrjet politike ne formulën e kompozimit e vënë në vështirësi zgjedhjen, duke e lënë në dorë sërish të vullnetit politik.

Ora Neës ka publikuar letrën e KQZ-së, ku shpreh shqetësim për mosfunksionimin e institucionit.

8 muaj nga zgjedhjet vendore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është në pamundësi funksionimi dhe në ngërç politik, për shkak të përfundimit të  mandatit të 4 anëtarëve.

Këtë shqetësim kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, ia ka shprehur zyrtarisht  kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në letrën që mban datë  15 tetor 2018, e firmosur nga Klemet Zguri ngrihet ky shqetësim.

Duke qenë se në detyrë tashmë janë vetëm 3 anëtarë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pa kuorumin e nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve dhe veprimtarinë normale të tij”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka njoftuar Kuvendin që në 11 shtator për 4 vakancat në institucion, e në bazë të ligjit Komisioni i Ligjeve duhet të kishte nisur procedurën për zëvendësimin e anëtarëve.

Por  për shkak të ndërhyrjeve ekstraligjore të politikës në këtë institucion, formula e kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e miratuar me konsensus në vitin 2012 ka dështuar dhe kjo mund të zgjidhet sërish vetëm me konsensus politik.

Në 15 tetor kur KQZ i shprehte Kuvendit shqetësimin e mosfuksionimit, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, nëpërmjet një emaili u bën thirrje grupeve parlamentare të dërgojnë propozimet për kandidatë.

E njëjta thirrje u përsërit edhe në seancën parlamentare të së enjtes:

U bëj thirrje publike kryetarëve të  grupeve parlamentare të bëjnë propozimet pa vonesë me qëllim fillimin e procedurave parlamentare për plotësimin e katër vendeve vakante në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve“, përgjigjet Ruçi.

Cilët janë grupet parlamentare që duhet të propozojnë kandidat? Çështja është e komplikuar e kjo nuk  sqarohet dhe në thirrjen e kryetarit të kuvendit Gramoz Ruçi.

Nëqoftëse  respektohet  kodi zgjedhor fjalë për fjalë, Partia Demokratike në këtë institucion rrezikon të mbetet vetëm me një anëtar plus kryetarin Klement Zguri,  ndërsa Partia Socialiste merr shumicën e anëtarëve.

Nëqoftëse i referohesh ligjit në germë, gjë që vitet e fundit kjo është shmangur, pasi në të gjitha zgjedhjet që parlamenti ka bërë vitet e fundit, për këtë institucion  ka respektuar parimin e balancës së forcave politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në këtë rast nëse respektohet ky parim, Lëvizja Socialiste për Integrim, goditet  në  këtë institucion duke mbetur pa asnjë përfaqësues.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje