Nga Partizani, Kukësi tek Laçi, ja klubet që janë pa “shtëpi”

5 Nëntor 2018, 18:31Sport TEMA

Kategoria Superiore është përfshirë në një krizë të rëndë sa i përket zhvillimit të ndeshjeve. Nga 10 ekipe që janë pjesë e Superiores – pesë prej këtyre skuadrave nuk i zhvillojnë dot ndeshjet në stadiumet e tyre.

Një rast i paprecedet ku vetëm në Shqipëri mund të ndodhë – pasi në vëndet e tjera dhe në kampionate më të dobëta se ky i joni nuk ka të tilla situata.

Ekipet që nuk i zhvillojnë ndeshjet në stadiumet e tyre janë, Partizani, Teuta, Laçi, Kukësi dhe Kastrioti të cilat i zhvillojnë takimet në stadiume të ndryshme.

PARTIZANI

Klubi i Partizanit prej dy sezonesh është duke i zhvilluar ndeshjet e saj në stadiumin “Selman Stermasi”. Pas një dakordësie me drejtuesit e klubit të Tiranës në sezonin e kaluar, 15-herë kampionët e vendit nisën t’i zhvillojë ndeshjet në kryeqytet, duke shmangur udhëtimet drejt qytetit të Elbasanit, ku zhvilloi dy fazat e para të Kategorisë Superore. Prej shumë vitesh Partizani ka nisur punimet për të ndërtuar stadiumin e tyre që është tek ish reparti ushtarak. Shtëpia e re e “demave”, përveç akademisë, fushave stërvitore, hotelit të klubit dhe shumë ambienteve të tjera, do të përmbaj edhe një stadium me kapacitet 6 mijë vende. Por, punimet për ndërtimin e kësaj vepre ka ecur me ritme të ngadalta dhe duhet të presim ende – derisa të shohim Partizanin që të ketë shtëpinë e saj.

KUKËSI

Edhe Klubi i Kukësit në këtë sezon është detyruar që ndeshjet e saj t’i zhvillojë në stadiume të ndryshme në “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” apo dhe në Kamëz ku luajtën në takimin e fundit kundër Flamurtarit. Kukësi do të ketë një stadium të ri – i cili do të ketë një kapacitet prej 10 mijë vendesh dhe është i mbuluar krejtësisht edhe në tribunat e tifozëve. Ky impiant kap vlerën e 3.5 milion eurove dhe do të jetë padyshim ndër më modernët në Shqipëri. Stadiumi do të jetë një qendër multifunksionale, pasi do të përfshijë të gjitha kushtet e nevojshme për skuadrën, nga palestra etj. I njëjti komoditet do të ofrohet edhe për tifozët që do të gjejnë shërbime të ndryshme. Një iniciativë e presidentit Gjici që ka marrë dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe pritet që në sezonin e ardhshëm edhe verilindorët të kenë shtëpinë e tyre.

Ndeshjen e fundit kundër Tiranës skuadra e Teutës e zhvilloi në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut për shkak se fusha e stadiumit “Niko Dovana” që me nisjen e kampionatit është vënë re se bari mungon në pjesë të caktuara të tapetit. Kjo i detyroi drejtuesit e Teutes që të ndërhyjnë për të përmirësuar gjëndjen e fushës duke i detyruar të besuarit e trajnerit Bledi Shkëmbi t’i zhvillojnë ndeshjet në fusha të tjera derisa ajo e “Niko Dovanës” të jetë në gjendjen për të zhvilluar ndeshje normale futbolli.

Klubi i Laçit ka pasur një ndër fushat më të mira në Kategorinë Superiore, por që në këtë sezon ashtu si fusha e stadiumit të Teutës – edhe aty është vënë re mungesa e barit në pjesë të caktuara të tapetit. Kjo detyroi që klubi kurbinas t’i nënshtrohet rikonstruksionit të fushës për ta rikthyer në normalitet. Kujtojmë që mungesa e fushës së Laçit bëri që sfida e kësaj jave ndaj Skënderbeut të shtyhej fillimisht duke marrë dhe dakordësinë e FSHF-së që ishte tërsisht jashtë çdo llogjike duke prishur direkt garën – por me ngritjen e zërit të presidetëve të klubeve, FSHF-ja u tërhoq duke caktuar se takmi Laçi-Skënderbeu të zhvillohet ditën e mërkurë në stadiumin “Selman Stermasi”.

KASTRIOTI

Klubi i Kastriotit u ngjit këtë sezon në Kategorinë Superiore dhe pavarsisht se bëri merkato nuk është në pozitat e duhura në renditje. Krutanët renditen në vendin e fundit dhe janë kandidatët që kanë më pak shanse të qëndrojnë sërish në Superiore. Një nga faktorët që ka ndikuar dhe tek rezultatet negative tek kjo skuadër është se të gjitha ndeshjet janë detyruar që t’i luajnë në Fushë- Krujë në stadiumin “Redi Maloku”. Stadiumi i qytetit të Krujës, nuk i plotëson kushtet për të zhvilluar ndeshje të Kategorisë Superiore dhe kjo e ka detyruar klubin e Kastriotit, që këtë sezon t’i zhvillonte ndeshjet, në Fushë-Krujë.

(Përgatiti Fatjon Baze, TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje