Shtyrja e ndeshjes midis Laçit dhe Skënderbeut ka nxitur reagime të shumta në ambientin futbollistik.
Vipsport.al ka kontaktuar edhe me presidentin e Partizanit, Gaz Demi.
Numri 1 i klubit të kuq nuk e beson që kjo të jetë e vërtetë, madje jep edhe sugjerime në rast se vërtet Laçi ka probleme, atëherë të shtyhet e gjithë java…
President, si e komentoni shtyrjen e ndeshjes Laçi-Skënderbeu?
Nuk e besoj një gjë të tillë. Nuk besoj se administrata e FSHF-së të jetë kaq e painformuar nga rregullorja dhe të prishi garën. Nëse është e vërtetë që Laçi ka probleme për të gjetur fushë, le të shtyhet e gjithë kjo javë. Të gjithë kemi probleme me fushat. Meqë e ka Laçi këtë problem, i bëjmë nder neve Federatës dhe pranojmë që të shtyhet e gjithë java.
A ndikon kjo shtyrje në garë?
E thashë që nuk e besoj të jetë e vërtetë. Edhe ne kur kërkuam që ndeshja e Kupës me Tërbunin, të luhej në Tiranë, FSHF nuk pranoi dhe e luajtëm në Pukë. Nëse FSHF ka nevojë për këshilla, mund të luhet kjo ndeshje edhe në Pukë. Me sa di unë, të gjitha klubet janë të barabarta. Nuk besoj që institucioni i futbollit të jetë i privatizuar dhe të vendosë për çdo gjë, pa u bazuar në rregullore.