Vendimi i FSHF-së për të shtyrë ndeshjen mes Laçit dhe Skënderbeut për shkak të mungesës së një fushe, duke prishur garën në Superiore, ka lënë të pakënaqur edhe korçarët. Këta të fundit dëshironin që të vazhdonin serinë e fitoreve dhe për këtë arsye kishin qenë gati të zbrisnin në fushë, siç janë edhe tani nëse vjen urdhri nga FSHF për të luajtur.
Këtë e konfirmon për Vip Sport presidenti i klubit korçar, Ardian Takaj, i cili shprehet se skuadra është gati dhe për këtë arsye është kthyer në Durrës dhe jo në Korçë, ku ka kaluar javët e fundit.
“Ne jemi të interesuar ta luajmë ndeshjen. Ekipi është gati, ka lënë Korçën dhe është në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Po presim njoftimin nga federata për atë që do të bëhet, por jemi gati që të luajmë. Ne nuk na intereson shtyrja e ndeshjes për vetë momentin që po kalon ekipi”, shpjegoi ai, duke iu referuar serisë prej 5 fitoresh radhazi të skuadrës së tij e cila ka marrë përsëri e vetme kreun e klasifikimit.
“VipSport.al” ka kontaktuar me presidentin e Kukësit, Safet Gjicin në lidhje me këtë vendim të FSHF-së, për të marrë opinionin e tij se si e mendon këtë shtyrje dhe a mund të jetë favorizim për ndonjërën nga skuadrat. Kujtojmë, që një problem të tillë me fushat ka edhe ekipi i Kukësit, duke qenë se “Zeqir Ymeri” nuk është licencuar dhe i duhet të luajë sa nga një stadium, në nj tjetër.
President, si ju duket vendimi që FSHF ka pranuar të shtyhet ndeshja Laçi-Skënderbeu?
Vendimet janë të Federatës por gara është garë dhe mirë do të ishte mos të shtyhej. As ne nuk kemi stadiume dhe është problem i madh por duhet gjetur mundësi tjetër për ta zgjidhur por ky vendim nuk besoj se ka qëllim për të favorizuar Laçin ose Korçën. Edhe ne ndoshta mund ta shtyjmë një ditë nëse stadiumet janë të zëna. Unë nuk mund të them gjë pasi e kam vet mbi shpatulla dhe e di që është e vështirë, pasi po shkojmë sa nga Elbasani në Shkodër e Kamzë.
A mendon se prishet gara dhe krijohet precedent negativ?
Nuk besoj se ndikon në prishjen e garës pse u shty një ndeshje. Federata ndoshta e ka parë si të pamundur për të gjetur stadium. Ky është vetëm një rast dhe nuk duhet të ndodhë shpesh që të kthehet në precedent dhe ta kërkojnë të gjithë. E thashë edhe njëherë, unë personalisht nuk mund të them gjë pasi të tilla halle kam edhe vetë. Nuk besoj se FSHF po favorizon ndonjë ekip me këtë vendim që ka marrë.