Jari u ngrit sot me një dhëmbje të fortë koke, por me shumë shpresë se situata do të ndryshonte pas protestës madhështore, që do të rrëzonte qeverinë e drogës dhe të krimit.
Ndërkohë që autobusët e Lulit dhe të Monës po mbërrinin në Tiranë të mbushur me prindër studentësh nga e gjithë Shqipëria, ai mendoi që të përfitonte nga koha e të sqaronte demokratët për incidentin me votat e Kuvendit Kombëtar të PD, që dolën 200 më shumë se numri i delegatëve:
“Të nderuar miq, Jari iu shpjegon!
Nuk është problemi i Lulit, që nuk na rakorduan votat me votuesit tek procesverbali i mbrëmshëm i Kongresit.
Ai punën e vet e bëri mirë, se futi të gjitha ata që duhen në listë dhe hoqi të gjithë armiqtë e partisë sonë.
Fajin për gabimin e mori që mbrëmë përsipër Jemini, i cili tha se gjithçka ka ndodhur pa dashje dhe se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më.
Ne u mërzitëm shumë, por ai na e mbylli gojën, se na tha që “plakut nuk i dëgjohen pordhët, por i dëgjohen fjalët”.
Për këtë shprehje të tij njoftuam Doktorin dhe ai na tha se ka të drejtë Jemini, se që nga viti 2005, ai nuk ka thënë kurrë ndonjë fjalë kundër Lulit, siç ka bërë Jozefina apo ndonjë armik tjetër.
Kjo i hedh poshtë shpifjet se ngjarja ka ndodhur ngaqë Luli ka probleme me aritmetikën dhe me tabelën e shumëzimit.”
Por ndërkohë që po shkruante këtë mesazh, Jari i hodhi një sy televizionit të Kasemit, që është i specializuar për protesta live, dhe konstatoi me tmerr se studentët para Kryeministrisë kishin mbetur një grusht dhe ishin dukshëm më pak se policët.
Dhe vazhdoi të shkruante si më poshtë:
“Tani të gjejnë vrimë ku të futen ato veglat e Edi Ramës, që kanë thënë se të gjitha protestat në Shqipëri i shuan Luli.
Ai ka alibi se ka qenë në mbledhje grupi dhe e kanë parë të gjithë me sy që studentët i ka shpërndarë shiu dhe jo Luli.
Ai i shkreti ka pasur hall të madh sot, se Doktori paska thënë që të shkojmë të enjten në parlament, kurse Salianusi paska dalë kundër.
Ne në fakt prisnim të ishte ndryshe, sepse Doktori ka një vit që thotë se duhet t’i djegim mandatet, por urdhërat e tij nuk komentohen, thjesht zbatohen.
Kurse këtë kolegun e Doktorit, Salianusin, nuk e mora vesh mirë pse e bëri këtë akt heroik.
E kuptoni tani se me çfarë vështirësish përballet Luli në misionin e vet për të na çuar drejt fitores apo jo?
Nesër do t’ju njoftoj për çdo të re. Mos u dekurajoni!
I juaji, Jari!”