Jari shpjegon se nuk është e vërtetë që opozita do të shkojë "e dhjerë, por krenare" në parlament

18 Dhjetor 2018, 19:10Antena TEMA

Dështimi i protestës së studentëve dje nuk e kishte dekurajuar Jarin.

Më shumë e kishte mërzitur zemërimi i Monës, e cila nuk e kishte mbajtur veten dhe kishte porositur një shkrim në gazetën e Nikos kundër Lulit.

Ideja ishte që kur zuri shiu, para Kryeministrisë mbetën vetëm studentët e LSI-së, ndërsa ata të FRPD ishin shpërndarë nëpër shtëpi.

Por Luli nuk kishte faj, sepse ata të LRI-së dihej që kanë më shumë rezistencë, ngaqë janë të ushqyer mirë gjatë verës në Jalë, kurse këta tanët nuk i ka parë njeri me sy, ngaqë kryetari, Belind Këlliçi, është një si biçim tradhtari për kunatin dhe Familjen.

E megjithatë, ngjarja e ditës sot ishte vendimi i opozitës për t’u kthyer në Parlament, ndaj edhe Jari mendoi se aty duhet të përqëndrohej në mesazhin e radhës për demokratët.

Me këto mendime të qashtra në kokë, nisi të shkruajë si më poshtë vijon:

“Të nderuar miq, Jari ju sqaron!

Këta studentët dolën ca kalamaj të shpifur, shumica e të cilëve po keqpërdoren nga Edi Rama, Erion Veliaj dhe Altin Qorri, kundër Lulit dhe Monës.

Por siç ka thënë edhe Grigja, ata nuk janë e ardhmja jonë, por ne (d.m.th Partia Demokratike) jemi e ardhmja e tyre.

Dhe ne kemi vendosur që të luftojmë me të gjitha mjetet në funksion të këtij qëllimi.

Fillimisht kemi vendosur të kthehemi në parlament.

Për këtë, Luli bëri sikur u konsultua me aleatët e koalicionit.

Në takim morën pjesë Luli vetë i tretë, Mona vetë i dytë, si dhe Fatmiri, Dashi, Nardi dhe Goni, të gjithë këta vetë i parë.

Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Dulja munguan me arsye, se i kanë dhënë fjalën mbështetësve të vet që do ta vrasin njëri-tjetrin, po u panë gjëkundi.

Por nuk ka problem, se ishin shprehur dakord për çdo vendim me telefon.

Halli jonë është se nuk kishim rrugë tjetër.

Treçereku i deputetëve të LSI nuk e jepnin kurrë mandatin, se thonin që e kishim marrë me gjak.

Por edhe tek lista jonë nuk e kishim kollaj.

Se ata që e kishin blerë tek kunati, ishin të dyshimtë që e dorëzonin, përveç Agron Shehajt, që është gjysëm shejtan dhe gjysëm budalla, dhe e kupton që kjo është lojë.

Por më e keqja qëndron tek ata që vijnë në listë pas deputetëve aktualë.

Sepse, pasi qëroi hesapet me armiqtë e partisë dhe mbylli emrat e atyre që do të fitonin, Luli e lëshoi dorën me ata që ishin thjesht për të plotësuar listën.

Ata mezi po prisnin që të digjeshin mandatet, se i kishe të gjithë në parlament.

Kjo e detyroi Doktorin që të lëpinte atë që kishte pështyrë dhe të thoshte i pari në mbledhje grupi që duhet të shkojmë në parlament.

Kurse këtë Salianusin e kishte porositur vetë Luli që të bënte si cub, që ishte për djegien e mandateve, se na duhet për ta paraqitur si burrë të forte, që këput zinxhirë.

Edhe argumentet që të mos dukemi si legena i ka gjetur Doktori.

Të enjten do të shkojmë në seancë për të respektuar dekretin e “Komandantit të Përgjithshëm”, kurse të premten gjoja për të diskutuar nismën tonë për vetting-un në politikë.

E rëndësishme është që do të kthehemi në parlament.

Le të thotë kush të dojë “të dhjerë, por krenarë”.

Ne na intereson qëllimi. Fitorja është e sigurtë.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje