Nga Altin Ketro
Stina e re koncertore e opozitës për vitin 2019 nis me operetën: “Do protestojmë, që Ramën ta largojmë.” Kjo operetë nuk është ndonjë premierë, por ripërsëritje e parë disa herë këto 5 vjet, rrjedhimisht do kemi një spektator të velur nga e njëjta vijë muzikore. Opozita ka vendosur ta ritransmetojë duke menduar se spektatori do tregojë interes.
Lulzim Basha, thirrjen për protesta e bëri në janar, muaj i cili konsiderohet si vrasës protestash. Duke e ditur këtë, ai vetëm i lançoi këtë muaj, por për t’i konkretizuar zgjodhi shkurtin, datën 16. Me llogari kjo stinë protestash i bie që të nisë 4 muaj e gjysmë para datës të zgjedhjeve ose 3 muaj përpara nisjes së fushatës elektorale.
Në pamje të parë duket si një nxehje përpara lojës së madhe, por që mund të rezultojë me kosto politike për opozitën. Aktualisht kemi një qeveri të re dhe rinovimi i ministrave ka ndikimin e saj në psikologjinë e protestuesit. Kjo pasi ministrat që opozita i kishte fryrë si koka e korrupsionit, nuk janë më në detyrë, gjë që do të thotë se bie një nga argumentet kryesorë me të cilat mund të manipulosh turmat për të dalë në protestë. Kjo përkthehet pastaj në mungesë entuziazmi për t’u frymëzuar për të pasur një revoltë të brendshme si shkak për ta shpërthyer.
Siç theksova më lart, duke qenë në prag të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, protesta do përzihet me mitingjet elektorale. Por protestat në vetvete ndryshojnë nga mitingjet elektorale, sepse në protestë vijnë njerëz pa dallim moshe, krahine dhe bindje politike, kurse në mitingjet elektorale përgjithësisht vijnë vetëm njerëz që të japin votën. Kjo ndërthurje do i bëjë njerëzit konfuzë, sepse dështimi i mundshëm i protestave do përthithet nga elektorati i djathtë si braktisje që populli po i bën opozitës. Duke parë se si kanë rrjedhur ngjarjet nga protestat e mëparshme, logjika ta thotë se nuk do të ketë ndonjë ndryshim esencial as kësaj here.
Përpos rrezikut të dështimit, opozita, me këtë seri protestash para zgjedhore, rrezikon ta lodhë elektoratin e saj dhe kur të vijë fushata e vërtetë do ta ketë të vështirë t’i rimbledhë për shkak të energjive që do harxhojë këto muajt e parë të vitit.
Rreziku i dështimit të protestave, rrezikon më pas që liderin e opozitës ta kapë edhe ndonjë paranojë frike për humbje zgjedhjesh dhe në këto kushte të nxjerrë ndonjë preteks për t’i bojkotuar ato.
Dyshoj se është pikërisht frika që Lulzim Basha ka se nuk i fiton dot zgjedhjet vendore, ajo që e detyroi qysh tani të ndërmarrë këtë seri protestash. Ato realisht priten me shumë interes sepse në varësi të tyre mund të lexohet edhe fati i tij politik në veçanti. Çdo dështim i protestave do të jetë preludi i një bojkoti zgjedhor, kurse masiviteti i tyre do shërbejë si shkëndijë për opozitën që të hyjë në zgjedhje.
Mund të duket e pabesueshme, por mazhorancës do i interesonte më shumë skenari që protestat të kishin një farë suksesi. Kjo për të motivuar opozitën të hyjë në zgjedhje. Mungesa e opozitës në zgjedhje nuk do i sillte asnjë dobi mazhoranës, sepse asaj nuk ka ç’i duhet fitorja në tavolinë në 61 bashki, sado suksesshëm t’i drejtojë ato. Modeli qeverisës demonstrohet jo vetëm kur ti punon mirë, por edhe kur kundërshtari yt punon keq, gjë që të krijon bazën krahasuese.
S’na mbetet tjetër veçse t’i bëjmë thirrje njerëzve të dalin e ta përkrahin opozitën në protesta. U pa puna, me këtë lloj opozite tekanjoze që kemi, e cila e lidh fatin e pjesëmarrjes në zgjedhje me fatin e protestave para zgjedhore, interesi i përgjithshëm, edhe i mazhorancës qeverisëse, është që ato të kenë disi sukses. Sepse fati i zgjedhjeve dihet, por të paktën i japin një mundësi Lulit me çfarë të justifikohet. Ashtu siç u justifikua me fitimin e bashkisë Kavajë, ndërkohë që humbte rëndë zgjedhjet parlamentare, ashtu le të justifikohet edhe me suksesin e protestave pavarësisht se do humbë zgjedhjet vendore. E meriton ta ketë një alibi mbijetese. Dhe e gjitha në emër të frymës së demokracisë për ta pasur opozitën në zgjedhje. Ç’paradoks!
(TemA)