Nga Romarjo Xhemali
Gjithçka për gjithçka, kjo është formula me të cilën Basha i është futur kësaj lufte, nga e cila ose kthehet mbi “kal” , ose kjo punë ska qenë kurrë për të.
Pas një eksperience jo fort të mirë opozitare, dështimeve të njëpasnjëshme në raport me votën kundrejt Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka luajtur “asin” e fundit nën mëngë, duke e futur politikën shqiptare në një fazë të panjohur më parë e duke vënë me shpatulla pas murit qeverinë dhe faktorin ndërkombëtar përballë faktit të kryer të mandateve të dorëzuara.
Vështirë të kuptohen shkaqet që e sollën gjithë frontin opozitar në këte vendim. Disa e lexojnë këtë lëvizje si të Sali Berishës, e të tjerë si lëvizje të Bashës për të rikthyer besimin e humbur pas marrëveshjes së 17 Majit.
Zhvillimet e pas humbjes së zgjedhjeve të 2017 kanë pasur dritëhije të shumta dhe janë përkthyer me mungesë të vazhdueshme besimi ndaj Partisë Demokratike. Ngrirja e çuditshme e funksioneve të kryetarit, që zëvendësoi dorëheqjen e tij, dhe mosrealizimi asnjëherë deri me sot i një analize serioze e të plotë për humbjen e zgjedhjeve, shto këtu edhe faktorë të tjerë kishin çuar në këtë nivel mosbesimi ndaj opozitës dhe liderit të saj.
Ndoshta Lulzim Basha, duke ndërmarrë këtë veprim, i ka treguar përkrahësve të tij se është gati të sakrifikojë diçka për të mirën e përbashkët. Koha do të hedh dritë mbi arsyet e këtij akti ekstrem. Por a e di vërtet opozita se çfarë kërkon dhe si do e arrijë?
Kur shikon artikulimet e aktorëve opozitar kupton që ata kanë divergjenca të shumta mes tyre në lidhje me atë se çka po kërkojnë dhe si do ta marrin, keshtu që idetë e tyre nuk janë të konturuara plotësisht. I vetmi emërues i përbashkët i tyre është e ashtuquajtura qeveri tranzitore pa Edi Ramën në krye dhe zgjedhje të lira e të parakohshme. Sali Berisha në disa intervista të dhëna nga ana e tij ka shkuar në ekstrem kur thotë se nuk do të pranojnë qeveri tranzitore me kryeministër socialist.
Të kundërtën pohojnë Monika Kryemadhi dhe Shpëtim Idrizi kur thonë se nuk është problem nëse në krye të qeverisë teknike të jetë një nga radhët e socialistëve. Më diplomat tregohet Lulzim Basha në këtë pjesë duke mos dhënë një opinion origjinal e duke ja lënë kohës në dorë se çdo ti ofrojë ajo dhe sa mund të arrijë të marrë prej kundërshtarit.
Pastaj janë edhe disa probleme të tjera teknike për të cilat nuk është dëgjuar të flitet, si për kohën që do i duhet qeverisë së re për të garantuar zgjedhje të lira, a do të jetë kjo kohë e mjaftueshme dhe a do e njohë opozita rezultatin e këtyre zgjedhjeve me kushtet e veta.
Një dilemë e madhe është edhe raporti me LSI-në, një parti që ka qenë pjesë e tepsisë deri me 2017 dhe përfaqësuese e Republikës së Vjetër, sipas kryetarit të Partisë Demokratike. Gjatë fushatës së vitit 2017, kjo parti u sulmua ashpër nga lideri i opozitës së asaj kohe, ku e akuzonte hapur atë për shit-blerje vote dhe si patericë që i shërbente Edi Ramës për qëndrimin e tij në pushtet.
Është në fakt e çuditshme se si dhe sa shpejtë ndryshuan qëndrimet e Lulzim Bashës dhe afrimi i tij me Monikën.
Kjo bën që kauza e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira dhe te ndershme të humbasë disi besueshmërinë në sytë e publikut, dhe PD-ja të marrë mbi supe peshën e fajit të LSI-së.
Ndoshta do ishte më mirë që Basha ta kishte çuar deri në fund i vetëm këtë sfidë që nisi, por kërkimi i fitores nga ana e tij me kosto sa më të vogël dhe pak mundim solli futjen e LSI-së brenda gjirit të tij opozitar. Këtu merr shkas edhe një pikëpyetje tjetër në lidhje me reagimet e kohëve të fundit të Presidentit të Republikës.
A i është përmbajtur ai rolit të vet kushtetues, apo ndoshta po mundohet ti japë një dorë e ti fryjë sadopak zjarrit të ndezur nga opozita? Në gjykimin tim ai po luan lojën e një faktori opozitar për ti dhënë më shumë zë kësaj të fundit.
Por nëse e sheh në një këndvështrim më të thelluar ai ka dyshime te forta për dorëzimin e mandateve dhe duket se po luan një lojë me dy porta ku nga njëra anë paraqet gruan e tij për të treguar se LSI është flamurtare e këtij aksioni, e nga ana tjetër mendohet se po punon në fshehtësi për formimin e një grupi të ri parlamentar me deputetët e rinj. Ngelet për tu parë nëse kjo patericë e së shkuarës(LSI+President) do i shërbejë opozitës së sotme për të ardhur në pushtet, ose nëse do “thyhet” e do e lërë në mes të rrugës.
Shohim që sfida që opozita i ka bërë vetes është e fortë. Nëse numrat në sheshe, retorika e faktorit ndërkombëtar dhe revolta e një njeriu të zakonshëm nuk i përgjigjet këtij basti, pra nuk ecin paralelisht me të, ky bast do të jetë i humbur dhe jo vetëm zbehja e fuqisë së partive opozitare por edhe fundi i tyre politik nuk është çudi. Kjo mund të çojë në një mungesë të opozitës reale në vend dhe mospërfaqësim të mendimit ndryshe të shoqërisë. Atëherë instalimi i Ramës në pushtet do të jetë i përhershëm dhe demokracia e brishtë shqiptare sot, nesër mund të mos ekzistojë më.
Pra, raporti është tërësisht i zhdrejtë mes fryteve të fitores dhe kostos së humbjes, pasi në rast se aksioni opozitar rezulton i suksesshëm, Partia Socialiste nuk goditet ose dëmtohet rëndë, por vetëm mund të sjellë fundin e karrierës së kryeministrit aktual.
Unë nuk e di nëse kryeopozitari ka largpamësi politike ose jo, por ai duhet ta njohë veten se deri ku mund të shkojë dhe ta “prekte” fundin e rrugës ende pa u nisur.
Dyshimi i vendimeve të nxituara të 17 Majit është i gjallë në mendjet e çdokujt dhe askush nuk ka siguri nëse ky aksion i nisur do të shkojë deri në fund, apo ndonjë “karamele” surprizë gjatë rrugës do bëjë “kurban” gjithë ata që e besuan.
Skepticizmi është i madh, edhe sepse ende nuk shohim shpalosjen e një platforme të mirfilltë politike, qoftë dhe për zgjedhjet e parakohshme, meqënëse në ato lokale pretendohet të mos hyjet. Kjo nuhatje politike e Bashës dhe vendosmëria për ti shkuar kauzave të ngritura deri në fund do të vendosë për të ose “vdekjen” e dytë e të fundit politike (pas asaj të 17 Majit), ose lartësimin e lidershipit të tij duke i bërë hije edhe “vdekjes” së parë. Loja mbetet e hapur dhe kartat ende ne dorë…
Basha kerkon te fotoj ne tavoline ndonje bashki me teper psh ate te Durrisit dhe Monika do te ruaje ne tavoline bashkite qe ka sot
Sa poshte ka rene niveli i demokracise ne Shqiperi.
Te gjithe pazarxhinj, shikojne vetem interesin e tyre. Nuk ka parime dhe principe, por vetem interesa personale
O gazetar o hu ti e tane shoket tuaj qe jeni bole hala se keni marre vesh se i madh e i vogel ne pd bajne çfare thote birisha(gjini) qe kurre ne jeten e vet as ka dashte as nuk don e as nuk ka me dashte qe shqiperija te jete nje vend normal.
Nje analize e thelluar qe ia vlen ta lexosh. Bravo
lulezim basha eshte vetem nje vegel ne doren e edi rames prisni dhe disa dite se me siguri gjasme sikur e beri europa do kemi nje pakt tjetet pd-PS ky pakt mund te sjell perseri nje ngritje te pd eshte koha per te luajtur gjithcka per gjithcka ose marrin pushtetin ose ju a mer te gjitha vetingu qe me shum gjasa u krijua per ate qe eshte pushtet te hetoj rivalet