Himni ynë i 30 qershorit: Dy të zeza, një të bardhë

28 Qershor 2019, 20:45Blog TEMA

Nga Ilir Mborja

I dashur muzikanti i lalës!

E di që s’ke kohë se je i zënë me dasmën e gocës së Qamiles, po edhe unë ashtu e kam hallin e s’më pret puna: Dua që gjer nesër t’i kesh kompozuar muzikën këtyre vargjeve: “Presidenti im hajdut!/ Buzëqeshja ç’tu këput,/ se të qeshi jevgu Mut./ Oi, oi!”… Nise shtruar! Ti e di vetë ç’të bësh, por mua nuk më duket e keqe vija melodike e këngës “Fenda e qyqes” që këndonte dikur lala i madh kur kthehej nga qerhanet. Shkon ajo melodi, shkon, se, edhe Ilir Meta, rri e rri dhe, me ca si biçim dekretesh, na lëshon ndonjë fendë qyqeje… Te refreni e dua ritmin e fortë: “Njëmbëdhjet hale në daçi?/ Dhjet më vete Sasha maçi./ Në s’besoni sy, mos paçi!/ Votoni jevgj haram e paçi!..”.

Aman! Do ta bësh për mua, për vete e për gjithë racën tonë të vuajtur. Ti e di sa na kanë tallur e ofenduar gjithë jetën gaxhinjtë…Tani që iku Obama e Lu-ja, na vunë përpara fare. Dhe përse?.. Vetëm se ne rrëmojmë për ndonjë hedhurinë te kazanët e plehrave. Këta sojllinjtë, që thua ti, për vete vjedhin banka e thesare dhe, jo që nuk u hyn gjemb në këmbë, por bëhen ministra, kryeministra, presidentë. Sa më shumë vjedhin, aq më lart ngjiten, aq më shumë shpërblehen… Ja, më thuaj! Ku e ke sot atë që vodhi florinjtë e Krrabës, adashin tim  me llagapin Meta?

Atij ia kam kushtuar vargjet se u mërzit kot me mua atëherë që nuk iu përgjigja thirrjes së tij për t’u armatosur… Pra, jepi duarve o lala im i vogël! Aman! Dua që të dielën, më 30 qershor, që me sabah, dmth, që në 5 sahati (se atëhere zgjohet edhe adashi im) himni të jetë gati. Po dëgjo! Melodinë, që ti do ta bësh si gjithnjë me fizarmonikë, nuk e dua me tastiera “dy të bardha e një të zezë”. Këtë radhë dua që të mbizotorojë e zeza jonë e jevgjëve, prandaj do ma bësh me “dy të zeza e një të bardhë”. E dua të bukur se nuk është dosido, por është president adashi im gaxhi. Hë të keqen! Qaje melodinë këtë radhë. Të gjithë kanë bërë këngë e lëshojnë mallkime për fushata elektorale, thurin himne për udhëheqësit e tyre, vetëm ne jevgjit hiç! Mbetëm duke thurur zorrët kukurec.

Muzikanti i lalës!

Duhet marr hak o muzikanti i lalës!.. E more vesh? Na mallkoi edhe Neritani. Ai, profesori mor ti! Ai që i puthi dorën Monikës. Mos më thuaj: “Pse nuk i puthi çizmet?”! E shpjegoi vetë profesori: Çizmja e saj ishte si shigjeta e Vilhelm Telit, madje edhe më shumë se e tij. Ai, Vilhelm frikacaku, vetëm sa ia drejtoi mbretit shigjetën, kurse trimëresha jonë e 11 haleve të Lalzit, çizmet që zbathi, ia vërviti gjatovinës dhe e shau mu ashtu si shanin jevgat e lagjes, gjyshin tonë Mete Mutin kur ai (siç thonin ato) i cyste. Ajo, në fakt, mirë ia bëri atij, se ai hajvani, me gjithë atë këmbë të madhe, guxoi e shkeli kushtetutën. Kush të duron ashtu? Dhe pse duhet të duronte Monika e Neritani kur preket kushtetuta? Prandaj edhe ai i puthi vetëm dorën asaj. Atë që kapi çizmet… Si? Kush ia puthi? Ai pra, profesori, Neritan Ceka, që shkruan libra për ato që kanë bërë vaki përpara 3000 vjetësh… Dhe s’ke se ç’thua: Ato i qan ai dhe për ato duhet besuar. Për këto të 30 viteve të fundit mos e beso flokëbardhin, se e ngatërron dhe e bën kaçurrel fare historitë. Po më mbaro këtë punë që të thashë njëherë! Kënga e tij pret dhe mos ki frikë! Nuk na zë mallkimi i tij. Sidomos ne jevgjëve.

Ti nuk e mban mend se ke qenë i vogël në qershor të ’97-s, kur Neritan Ceka erdhi e na mblodhi në Elbasan dhe, kur kërkonte votat për deputet, na tha: “Ju jevgjit jeni mallkuar për mëkatin që keni bërë ndaj Krishtit. Qysh prej gati mijëra vjetësh, aty nga  viti 33, gozhdët që u përdorën në kryqëzimin e Tij i kishin prodhuar të parët tuaj e prandaj, ju jevgjit keni mbetur kështu, se paguani haraçin e atij gjynahu. Votoni për mua se unë kam fuqi të mbinatyrshme t’ju çliroj njëherë e përgjithmonë nga ai mëkat!”…  Ca nga ne e besuan dhe ia dhanë votën, por gaxhinjtë e socialistes u bashkuan me ato të social demokrates dhe nuk votuan për atë, por për kandidatin e tyre.

Por ai e mashtroi dhe ia vodhi votat të ndjerit Bahri Myftari. Kam qenë vetë aty, kur në paraditen e 30 qershorit të1997-s, në Elbasan, Neritan Ceka iu lut fituesit Bahri Myftari: “Aman! Mos e shpall fitoren para se të mbarojë mitingu i mbasdites në Tiranë, se, meqë jam kryetar partie i koalicionit fitues, jam i detyruar të dal në tribunë dhe nuk dua të merret vesh njëherëpërnjëherë që jam humbës! Të lutem! Të përgjerohem!..”. Bahriu i shkretë, pas lutjeve edhe të Skënder Gjinushit që atëherë e kishte kryetar partie, e besoi dhe nuk e shpalli fitoren…

Por, kur u kthye të nesërmen në mëngjes nga Tirana në Elbasan, pasi horrat e PAD së tij punuan gjithë natën me kutitë duke i zhvlerësuar mijëra vota fituesit, i tha Bahri Myftarit: “Hajde t’i numërojmë edhe një herë nga e para se më duket kam fituar unë!”… E nxorri në balotazh më 6 korrik dhe ia përlau përsëri me kallashnikovasit që nuk i ndau nga vetja ato ditë. Kështu or byrazer u bë deputet ai: Me votat e vjedhura të Bahri Myftarit, se ne jevgjit nuk ia dhamë. Ai donte votat e sojllinjëve hajdutë. Prandaj hoqi dorë edhe nga premtimi se do të na çlironte nga ai mallkimi për “gozhdët e Krishtit” dhe nuk e përdori kurrë “fuqinë e tij magjiplotë” që ne jevgjit të shikonim një ditë të bardhë. Në televizor e dëgjova që tha se këto ditë “fuqinë magjiplotë” e përdor kur blen domate që të mos e hajë në kandar shitësi i lagjes?!. E kupton sa gënjejnë këta sojllijtë e politikës? K

y është Neritan Ceka o muzikanti i Lalës! Por ti lëre tani atë! Duket se e ka një hall edhe i ziu flokëbardhë me këtë si biçim SPAK-u që po bëjnë amerikanët! Më mbaro shpejt melodinë e himnit të presidentit tonë se brenda është edhe “sojlliu” i Elbasanit! Edhe melodia e këngës: “Vare veten me litar o Diloooo!” më duket se i shkon Allendes tonë. Po mbete kaps, futja asaj melodie! Mos e zgjat! Mo ki hiç frikë!.. Nuk e vret veten Ilir Meta. Janë të tjerë burra ata. E vrau Hitleri veten vërtetë, por vrau dhe gruan ama. E vret dot Monikën adashi im? Ishte Hitler ai.

Çizmet e partinë i mbante vetë, nuk ia jepte gruas. Ky adashi im ngjan me Kol Tivarin e Shkodrës. (Edhe këtë histori do të tregoj e do ta mbyll, se e kuptoj që të lodha: Katër shokë i thanë një ditë Kolës: “Kol! Do shkojmë për gosti tek një malok në Vuçidol! Duam që të vish edhe ti. Që i zoti i shtëpisë të therë e pjekë ndonjë berr, duhet  me ba nji gjest burrnor në sy të tij që vetëm ti mundesh me e lujt pjesën.”. “Flisni mor burra! Ç’ka duhet me ba un’?” – pyeti Kola. “Kemi mendu këtë: Kur të shtrohet sofra, ti Kol do jesh në kry dhe me këtë pisqollë që po të napim (Çe! Ja ku e ke e, fute në brez!), masi të bash nji pordhë, ban se medemek u turpnove e do me vra veten! Qite pisqollën prej brezi e drejtoje për te tamli! Na do të hidhna e nuk do t’lajmë me vra ti veten. Do ta marrim pisqollën me forcë e do t’ja napim të zotit të shtëpisë që t’na e kthej kur t’mbarojmë. I zoti shtëpis’ do preket e do na therë ndonjë berr të madh… Hë Kol! Si thu? E ban dot?”.

“Dakord!” – tha Kola dhe ashtu bëri: Sa u shtrua sofra, lëshoi pordhën, nxorri pisqollën nga brezi dhe e drejtoi në tamlin e djathtë. Prit t’i hidhen shokët ta mbajnë, ata hiç… Pa një herë majtas e djathtas me inat shokët që qeshnin e zgërdhiheshin me të madhe, e kuptoi hilen dhe e futi pisqollën andej nga e kish nxjerrë… Kola jetoi gjatë, por atë natë nuk vuri as raki në buzë e as gjizën që i ofroi i zoti i shtëpisë nuk e preku me dorë…”… Kështu or byrazeri im muzikant! Luaj duart e jepi muzikë vargjeve  të himnit tonë për 30 qershorin. Dhe dëgjo lalën! Të kam dhënë refrenin, por te teksti kam nja dy rreshta që i them se nëse vret megjithëmend veten adashi im, të na tregojë vendin ku i ka groposur florinjtë… Se do lodhim arkeologët pastaj, por jo Neritanin, do gjejmë ndonjë tjetër se ai e ka të vështirë t’i gjejë këto groposjet e këtyre 30 viteve të fundit…

Prandaj jepi muzikanti lalës! Nxito! Fort, që të dielën më 30 qershor, 5 sahati i sabahut, të buçasë Shqipëria nga himni ynë “Dy të zeza e një të bardhë”!..

4 komente në “Himni ynë i 30 qershorit: Dy të zeza, një të bardhë”

  1. REZI says:

    Madhore ky fejton e kjo sarkazëm e shkruar kaq bukur!

  2. Diana says:

    Cfare te thuash? Mbetem pa fryme prej te qeshurave nga humori i Ilir Mborjes. Nuk mund te them me shume se jam ne konflikt interesi. Kete shkrim e kam korrigjuar vete.

  3. Eli says:

    Une mendoj qe melodine e kenges ta kompozoje Saliu me cifteli . .I shkon shume bukurl Like kreshnikut. Te filloje me ca thirje kushtrimi e pastaj nota vajtimi. Nejse kam besim se selahu do ta qaje . Eshe shume izoti per keto gjera. Vucidoli i ka perdorur shume dikur kur vajtonin kreshniket.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje