Gurishta e arbitri i dhurojnë fitoren Tiranës, shfaqje e shëmtuar e tifozërisë

31 Gusht 2019, 21:05Sport TEMA

Tirana ia doli të triumfojë në klasiken e parë të këtij sezoni të futbollit shqiptar përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”, në një sfidë që nisi në mënyrë spektakolare, u vendos nga disa gafa dhe u mbyll me një spektakël të shëmtuar të tifozërisë shkodrane, që mbuloi terrenin me shishe uji të hedhura nga shkallët e stadiumit.

Sfida nisi mjaft mirë për të dy skuadrat, me bardheblutë që kërkonin të kontrollojnë lojën dhe Vllazninë që tentonte zbritjet e shpejta në kundërsulm, ndërsa në një rast të tillë erdhën edhe kontestimet e para.

Shkodranët nisën një top të gjatë për brazilianin Emerson, që i vodhi kohën Celhakës në zonë dhe u nis drejt portës së Likës, por mesfushori bardheblu e shtyu dukshëm dhe e rrëzoi, megjithatë këtë veprim “nuk e pa” arbitri Jorgji, që lejoi vazhdimin e lojës.

Me kalimin e minutave loja erdhi duke u tensionuar, teksa disa vendime të dyshimta të arbitrit Jorgji sollën kontestime nga ana e futbollistëve, por edhe tifozërisë në shkallët e stadiumit, që shprehu zemërimin me hedhjen e shisheve në fushën e lojës, shkruan Super Sport.

Nga ana tjetër, kryeqytetasit e Ardian Memës ishin ata që krijuan rastet më të rrezikshme, teksa një herë me Cale dhe një herë me Osmanin, i shkuan pranë golit, por Alen Sherri ishte në lartësinë e detyrës dhe pjesa e parë përfundoi në barazim.

Edhe sfida e dytë nisi me entuziazëm nga të dy skuadrat, teksa në minutën e 57’ u zhbllokua edhe rezultati i sfidës. Një krosim pa pretendime në zonë i bardhebluve shkoi në këmbët e Gurishtës, por mbrojtësi shkodran, që deri në ato momente po bënte një ndeshje për kornizë, gaboi rëndë duke mos larguar topin.
Në tentativë për ta ndaluar dhe menaxhuar sferën, Gurishta humbi ekuilibrin dhe ia la topin dhuratë Grent Halilit, që i vetëm përballë Sherrit, nga më pak se 10 metra distancë, gjuajti saktë dhe kaloi bardheblutë në avantazh.

Të shtangur, shkodranët nisën topin por gabuan sërish dhe Tirana rikuperoi menjëherë, ndërsa Cale çoi një tjetër krosim drejt zonës, këtë herë për Ngoo, që u harrua sërish nga Gurishta dhe nga vetëm 5 metra distancë, çoi topin në rrjetë për herë të dytë.

Tirana në festë dhe shkodranët të befasuar, me trajnerin Mirsad Jonuz që nuk po u besonte syve me atë çfarë po shikonte në fushën e lojës, ndërsa ndërhyri menjëherë për të larguar brazilianët Hygor e Emerson, për të aktivizuar Ramadanin e Markun.

Shkodranët tentojnë të rikthehen në lojë dhe zhvendosin lojën në gjysmëfushën bardheblu, duke ndërtuar disa aksione radhazi, por në ato pak tentativa, hasën në gatishmërinë e gardianit të Tiranës, Ilion Lika.

Minutat e fundit skenën e mori tërësisht tifozëria shkodrane, që të zhgënjyer me rezultatin, por edhe me vendimet e arbitrit, hodhën shishe të shumta në drejtim të fushës, duke bërë që takimi të ndërpritej për disa minuta, në pritje të vendosjes së normalitetit.

Një situatë aspak e denjë ajo e krijuar në një “teatër” të futbollit si stadiumi “Loro Boriçi” dhe me një tifozëri si ajo shkodrane ,që gjithmonë është shquar për korrektesën dhe mbështetjen maksimale në drejtim të ekipit.

Një ndeshje shumë më e qetë u zhvillua në Durrës, ku Teuta vendase arriti të fitojë me rezultatin 3-1 përballë Luftëtarit. Durrsakët e zgjidhën shpejt ndeshjen, duke shënuar fillimisht me Nikac dhe më pas Me Vecajn në pjesën e parë, ndërsa anë të dytën vulosën rezultatin me anë të Florent Avdylit.

Vlen vetëm për statistikë goli i shënuar nga Realdo Fili për Luftëtarin, që e nisi me shumë vonesë përgatitjen për sezonin e ri dhe kjo u reflektua qartë në këto javë të para.

1 komente në “Gurishta e arbitri i dhurojnë fitoren Tiranës, shfaqje e shëmtuar e tifozërisë”

  1. spata says:

    Mbas politikes kanceri i dyte eshte kampjonati i futbollit shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje