Së bashku mundemi” është një takim solidariteti i zhvilluar në Senatin Italian, për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në fazën e rindërtimit të zonave të dëmtuara nga tërmeti.
Takimi i solidaritetit “Së bashku mundemi! Pas tërmetit të 26 nëntorit, Shqipëria kërkon ndihmë”, u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të Miqësisë Itali Shqipëri.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Diasporës së re shqiptare, personalitete arbëreshe si dhe përfaqësues të shtetit italian, të cilët theksuan nevojën për vëmendje, kujdes dhe vënie në dispozicion të ekspertizës së specializuar ndaj Shqipërisë.
Në takim ishin të pranishëm Konsujt e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë në Bari e Milano.
Takimi u përshëndet nga Deputetë e Senatorë të Parlamentit italian, autoritete italiane, përfaqësues të botës të biznesit dhe akademike, si dhe kryetarë shoqatash të Diasporës së re dhe personalitete arbëreshe.
Gjithashtu, në takim morën pjesë, përfaqësues të shoqërisë civile italiane, arkitektë, inxhinierë, gazetarë dhe personalitete të spikatura nga rajonet e Italisë qendrore, të goditura nga tërmetet.
U manifestua qartë solidariteti i fuqishëm, afërsia e popullit dhe autoriteteve italiane me familjet e viktimave të goditura nga tërmeti. Njëkohësisht u theksua nevoja, vullneti dhe ndihma e pazëvendësueshme italiane për fazat e mëtejshme dhe rindërtimin.
Në takimit u shënua se momentet që vijnë do të jenë edhe më të vështira dhe pikërisht në këtë fazë do të duhet më shumë se kurrë vëmendja, kujdesi, përvoja dhe ndihma vëllazërore.
Takimi në Senat u mbyll me mesazhin “Shqipëria dhe Italia janë edhe më afër ne këto momente tragjike, dhe deti që na ndan është kthyer në një det bashkimi e solidariteti”.