Jari bën bilancin e fitoreve të këshilltarit Henz!

28 Dhjetor 2019, 21:25Antena TEMA

Jari vendosi të bëjë sot një bilanc të vitit që shkoi, si një vit suksesshëm nën këshillat e këshilltarit Henz.

Të dashur demokratë!

Jari ju sqaron.

Partia Demokratike ka mbyllur një vit të jashtëzakonshëm politik, me një bilanc të shkëlqyer, ku pa diskutim shquajnë meritat e këshilltarit Henz, i cili la punën dhe familjen në Gjermani, la vetëm Kancelaren Merkel dhe erdhi të ndihmojë PD.

Nën këshillat e këshilltarit Henz, ne përgatitëm terrenin me dosjen “Babale” dhe në fillim të këtij viti që po mbyllim, paralajmëruam ikjen nga Parlamenti.

Askush nuk e mori seriozisht paralajmërimn tonë. Pati dhe mes nesh plot vetë që hezituan. Por këshilltari Henz na garantoi se kishte folur me Merkelin dhe Trumpin dhe ne morëm vendimin e madh.

Edi Rama u fut në panik dhe brenda dy ditësh na dogji mandatet, me shpresë se ne do trembeshim. Por ne nuk u trembëm dhe vazhduam më tej.

Erdhën zgjedhjet lokale. Pati dilema të fota të hyjmë apo mos të hyjmë. Pati dhe të lëkundur mes nesh.

Por këshilltari Henz foli me një gazetar të Bild, i çuam aty dosjen e Dibrës dhe Shijakut dhe filloi lufta.

Të gjithë nuk e besonin por këshilltari Henz foli me Merkelin dhe ajo i tha mos u fusni në zgjedhje dhe mos dëgjoni çfarë them unë publikisht, se i them nga halli ato fjalët pro Edi Ramës.

Ashtu bëmë. Sapo e dëgjuam që ajo mburri Edi Ramën, ne e morëm sinjal të mos hynim në zgjedhje se kështu e kishim lënë “kodin” me këshilltarin Henz.

Dhe ashtu bëmë.

Pastaj këshilltari Henz foli me Merkelin dhe e pyeti: A t’i lejojmë të bëhen votimet.

Në asnjë mënyrë mos t’i lejoni, – i tha Merkeli këshilltarit Henz, por unë publikisht do t’i mbroj zgjedhjet, por ju mos u ndikoni.

Ashtu bëmë. Sapo Merkeli i mbrojti publikisht, ne nisëm sulmin sipas sinjalit që na dha këshilltari Henz.

Pastaj mbaruan zgjedhjet dhe ishte puna a do t’i lironim zyrat në bashkitë që kishim humbur.

Këshilltari Henz pyeti prap Merkelin dhe ajo i tha mos i lëshoni, pavarsisht se unë do them lëshojini publikisht.

Dhe kështu vazhdoi beteja jonë deri në nëntor kur ra tërmeti.

Tani vërtet kemi humbur deputetët dhe kryetarët e bashkive, por ama këshilltari Henz na ka krijuar një lidhje direkte me Merkelin dhe komunikojmë me të me kode sekrete, dmth bëjmë të kundërtën e asaj që thotë publikisht Merkeli dhe Trumpi, pasi ata kanë siklet nga Edi Rama, por në fakt janë me ne.

Por një ditë ata do guxojnë e do dalin hapur dhe ne do të fitojmë.

I juaji Jari!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje