Nga Bedri Islami
Këto ditë, kur në Kosovë mund të ketë zhvillime të papritura dhe ndoshta munduese, jo vetëm për atë pjesë të kombit, po shfletoja pjesë nga ato që kam shkruar gjatë luftës apo nga shënimet që kam mbajtur.
Thuajse të gjithë ata që janë sot pjesë e debatit dhe mund të jenë edhe të përplasjeve, gjenden në ato rrjeshta dhe shënime.
Edhe atëherë, si tani, të ndarë në dy pjesë: disa prej tyre ishin dhe vazhdojnë të jenë miq të mi, pjesë e rëndsishme e lëvizjes klandestine dhe çlirimtare, të tjerë renegatë të luftës dhe dëmtues të saj.
Paqja, thonë, i urtëson njerëzit e luftës dhe i zemëron njerëzit që ishin kundër saj. Në luftë, si pak herë të tera ndodh në jetën e njeriut, shfaqen vlerat, është ai momenti kur pak gjëra mendohen në jetën vetiake dhe ridimensionohet koha; në paqe, për fat të keq, ndodhi ndryshe.
Në fillimin e vitit 1998 dhe gjatë gjithë kohës që erdhi më pas, askush nuk mund ta mendonte se, 22 vite më pas, mes Kosovës dhe Shqipërisë në nivelet e larta qeveritare do të kishte kaq shumë mjegull dhe se mëritë e vogla do të ishin mbi interesa të mëdha.
Mendova t’i ribotoj disa pjesë të asaj kohe, ndoshta mendoj se shokët e dikurshëm me njëri-tjetrin dhe sot në pragje të ndryshme, do të rikthehen në kohë dhe të rishfaqin vlerat e luftës që disa i humbën në paqe.
Shpeshherë, ndërsa jam ndalur për të shikuar ciklin “Memorja e luftës”, si dëshmi për atë që ka ndodhur në disa nga momentet më të vështira dhe më përcaktuese për fatin e shqiptarëve në Kosovë, por edhe më gjërë se kaq, kam menduar edhe për diçka tjetër, të cilën nuk mund të mos e sillja në mesin e këtij cikli, si një reportazh të porsafilluar, për mijra e mijra njerëz, ose thënë më mirë si shenjë nderimi për atë që kanë bërë njerëzit e zakonshëm, të pazgjedhurit në organet drejtuese të strukturave të ndryshme, por që, megjithatë, kanë bërë pjesë në historinë e një vendi. Dhe, për fat të bardhë, në historinë e vendit të tyre.
Më tepër se gjithçka, ky shkrim, fillim reportazhi, ose mirënjohjeje, besoj se do të sjellë një diçka sado të vogël, për ata mijëra e mijëra njerëz, që nuk folën e nuk thanë fjalë të mëdha, që nuk rendën pasa emrit për të qenë dikush, që nuk u shushatën kur duhej ngritur krye dhe që ashtu denjësisht e bënë detyrën e tyre.
Në Kosovë, kjo tashmë dihet nga të gjithë, është bërë një luftë.
Në Kosovë, për më shumë se disa dekada shtypjeje, nuk kishte heshtur shpirti dhe zëri kryengritës dhe ky ishte tabani më i denjë për të bërë një luftë.
Nëse do të kishte ndodhur ndryshe, pra nëse njerëzit do të ishin mësuar me shtypjen, me kokën e ulur dhe qafën e shtrime, atëherë do të kishte qenë tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për të filluar dhe për të bërë të mundur fitimin e një lufte. Nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës u rrit me një shpejtësi marramendëse, që nga marsi i vitit 1998 dhe deri në qershorin e këtij viti 1999, për të mbetur pastaj një forcë solide, e qëndrueshme dhe e aspiruar drejt lirisë me çdo kusht; kjo ndodhi edhe nga fakti se ishte gjetur terreni i duhur për ta bërë këtë.
Është e vërtetë se ata që e ideuan, që punuan me vite dhe që bënë gjithçka që ishte e mundur, ishin në fillim një grup jo i madh idealistësh, e shumta e tyre bënte pjesë në një organizatë ilegale thellësisht patriotike dhe thellësisht të përkushtuar, Lëvizja Popullore e Kosovës e atyre viteve; është e vërtetë se këta njerëz ishin të denjë për të mbartur mbi vete fatin e një populli dhe se e kishin përkushtimin e nevojshëm për të bërë një punë të tillë, aspak të zakonshme; është e vërtetë po ashtu, se ata nuk mund ta bënin këtë vetëm, ashtu fillikat, edhe po të kishin qenë njëmijë vetë, kur fillimisht ishin shumë më pak se kaq.
Ka qenë ndoshta gjëja më e domosdoshme, jetike do të thoja, që nga brezi idealist, i cili kishte marrë përsipër shkëndijimin e idesë së lirisë, të shkohej tek zjarri që do të duhej ndezur tek njerëzit e zakonshëm. Bërja ose jo e kësaj pune, pra shumëfishimi i vetvetes, së këtij brezi idealist, ka qenë guri i madh i provës.
Dhe, nëse kjo është bërë denjësisht, ka lidhje edhe me faktin, se njerëzit, megjithëse kishin pritur, nuk kishin fjetur, dhe megjithëse dukeshin të heshtur, kishin pritur rebelimin e madh. Këtë të vërtetë e kishin kuptuar më së miri ata që edhe kishin qenë më pranë njerëzve të thjeshtë, ata që ishin ngritur për të rrezatuar në jetën e popullit, qoftë edhe me çmimin e madh të flijimit.
Më vjen keq që shembujt e jashtëzakonshëm që mund të sillja nga vitet e luftës brenda në Kosovë nuk janë të shumtë, kjo edhe për faktin se ata vetëm i kam dëgjuar dhe nuk i kam jetuar, ndryshe sa ka ndodhur me ngjarjet që kam përjetuar në mesin e mërgatës shqiptare.
Por , ajo që më ka bërë përshtypje në natën e parë në Prishtinë, në qershorin e vitit 1999, menjëherë pasi lufta kishte heshtur, qëndron në një fakt tepër të natyrshëm.
Një natë më parë në Prizren kishim përfunduar seancat e para të Mbledhjes së Përgjithshme të Lëvizjes Popullore dhe ishte marrë vendimi për shndërrimin e saj në një parti politike të kohës. Ishte ngritur Grupi i Punës për të drejtuar këtë proçes dhe me propozimin e Hashim Thaçit, atëherë drejtues i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, unë isha zgjedhur si drejtues i këtij grupi.
Për pak ditë do të duhej të bëhej një punë e jashtëzakonshme, dhe ishte e natyrshme që punët të bëheshin me orë të zgjatura, takime të shumta, pasi mendohej se do të ngriheshin struktura më të gjëra se sa ato që kishte pasur deri atëherë Lëvizja Popullore e Kosovës. Duheshin bërë takime të shumta, të njëpasnjëshme, jo vetëm me drejtues të organizatave të tjera politike apo studentore, por edhe me disa nga shokët tanë, të cilët atëherë heshtasi, e më pas haptasi, nuk kishin qenë dakord me shndërrimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës në parti politike. Sidoqoftë kjo është një temë tjetër, e cila patjetër një ditë do të duhet të trajtohet ashtu si ka ndodhur, duke sjellë hollësi të nevojshme nga të gjitha takimet që janë bërë aso kohe.
Paraprakisht, ditët e fillimqershorit të vitit 1999
Por, le të kthehemi tek ato ditë të fundqershorit të vitit 1999.
Ne kishim zënë vend, ose si të thuash ishim bujtës të mirëpritur në shtëpinë e Ramadan Avdiut.
Kur them “ne” e kam fjalën se ishim disa vetë që flinim e ushqeheshim aty, mes të cilëve Halil Selimi, Ramiz Lladrovci, Sabri Kiçmari, herë pas here vinin edhe shokë të tjerë si Shaban Shala i Negrovcit, që dukej sikur kishte ardhë nga çetat e Isë Boletinit, serioz, i mbarë, atdhetar i shquar, mendar, Xhevat Bislimi, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha e të tjerë. Pra familja e Danit ishte dyfishuar, por kjo nuk ishte prej ditës së parë. Ato dy shtëpi, fillimisht shtëpia e vjetër dhe më pas shtëpia e re e cila atëherë ende nuk ishte ndërtuar si duhet, për shumë vite kishin qenë shtëpi të ilegalëve të shumtë, të cilët, edhe kur ishte më vështirë se kurrë ishin strehuar aty, kishin gjetur strehën e duhur dhe fjalën e ngrohtë.
Në një shtëpi të tillë kjo ka qenë tepër e natyrshme të ndodhte kështu, pasi Ramadan Avdiu kishte qenë për disa kohë njëri ndër drejtuesit kryesorë të Lëvizjes dhe po ashtu e gjithë familja e tij ishte e përfshirë në këtë ilegalitet. Por, ajo që më gëzonte dhe që më bënte përshtypje ishte në faktin, se thuajse të gjithë shokët që kishin ardhur nga ilegaliteti, atyre ditëve nuk kishin zënë vend as në hotele, as në farefisin e miqtë e familjes, por pikërisht në shtëpitë e njerëzve të mirë ku ishin strehuar edhe gjatë kohës që kishin qenë ilegalë në Kosovë.
Në njërën prej mbrëmjeve të para ne ishim në Prishtinë me Bardhyl Mahmutin, përfaqësuesin e njohur politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Perëndim, më pas ministër i jashtëm. Bardhi ishte edhe asaj mbrëmje gjithnjë impulsiv, por kësaj here ai kishte më të drejtë se kurrë. Kishte vetëm dy mbrëmje që ishte në Prishtinën e ëndërruar prej kohe, shumë nga shokët e tij kishin rënë në luftë, por ai tashmë mund të shihte të realizuar ëndrrën e shokëve. Ndërkohë, pasi më thanë se më kishin kërkuar, donim të takoheshim me Ali Ahmetin dhe Fazli Veliun, të dy nga drejtuesit më të njohur të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe në strukturat e larta drejtuese të UÇK-së.
Në rrugën kryesore të Prishtinës ishte një gëzim i përgjithshëm, mijëra vetë kishin dalë nëpër rrugë dhe thërrisnin për Kosovën e lirë, për UÇK-në, dëgjoheshin thirrjet e para për Thaçin, që ishte aso kohe njeriu i shpresës së madhe të tyre, dëgjoheshin këngët, boritë e makinave dhe ne ishim mes tyre. Makina jonë ecte ngadalë dhe prej saj dëgjohej marshi i UÇK-së, kur një vajzë e re futi gjysmën e kokës brenda në makinë dhe thirri: “E pse ju nuk i bini borisë, a ju dhemb dora a, sonte është fitorja e UÇK-së e ju as borive të makinave nuk po i bini”. Ajo deshti të thonte edhe diçka, e indinjuar, përse borija e makinës sonë nuk dëgjohej edhe aq, por njëra nga shoqet e tërhoqi dhe i tha se ai që ishte në makinë ishte Bardhyl Mahmuti. Ishin emrat e parë të ilegalëve që po bëheshin shpejtësisht të njohur.
Por, ne donim të takoheshim me Aliun dhe Fazliun dhe nuk e dinim se ku. Befas Bardhi tha: “Unë e di se ku janë. Nuk kanë se ku të jenë tjetër veçse tek baca Abdyl, tek Abdyl Makolli”. E pyeta nëse ishte i sigurtë. Nuk kanë ku të jenë tjetër, tha edhe një herë. Ajo ka qenë baza jonë gjatë luftës dhe viteve të ilegalitetit. Njëra ndër bazat më të rëndësishme. Ajo ka qenë bazë edhe për Abazin (Ali Ahmetin) e edhe për Dajën e Madh (Fazli Veliun).Ata kanë qenë bazë e ilegalëve edhe në kohrat më të rrezikshme dhe nuk kanë kursyer asgjë për këtë qëllim.
Shkuam, shtëpia ishte në njerën nga kodrat e Prishtinës dhe derën na e hapi një vajzë e re, rreth të 15-tave. Ajo, pa folur asnjë fjalë, iu hodh në krahë Bardhit duke thirrur: “Bardhi”. Mendova se mos ishte njëra nga motrat e Bardhylit, por kishte qenë në fakt vajza e Abdyl Makollit. Bardhi, ashtu si edhe Abazi (Ali Ahmeti), Fazliu dhe të tjerë ishin si djemtë e vëllezërit e asaj shtëpie.
Më vonë Bardhi më tregonte, se kur kishte dashur të arratisej jashtë Kosovës, ishte nisur pikërisht nga ajo bazë e Lëvizjes, ishte shoqëruar deri në Slloveni pikërisht nga djali i asaj shtëpie, Shasivar Makolli, i cili më pas kishte shoqëruar kudo Adem Demaçin, por ajo ishte njëkohësisht edhe një shtëpi bazë për shpërndarjen e literaturës në të gjithë Kosovës.Njerëzit e kësaj shtëpie ishin të lidhur me luftën deri në vetflijim, dhe kjo ndodhi sepse ata i hapën dyert per njerëz që mbartën me vete ideale të mëdha, ideale për të cilat ia a vlen të hapësh edhe portat e zemrës. Më erdhi mirë që shokët e mi kishin aq shumë shtëpi të hapura natyrshëm për to, njëlloj si shtëpitë e prindërve të tyre.
Sidoqoftë, le të kthehemi përsëri aty ku edhe ndjehem “më i sigurtë”, në ngjarje të tilla të vogla, por me të cilat ka qenë e mbushur gjithë një veprimtari, me njerëzit e mirë të luftës në Perëndimin e largët, por që sollën Kosovën afër tyre me gjithçka që bënë, me idetë që i mbrojtën, me atë përkushtim të veçantë të heshtur, tepër njerëzor dhe tepër të pabujë. Ka qenë e pamundur të mbështetet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe qëndresa jetësore e popullit në Kosovë, nëse nuk do të kishin qenë pikërisht këta njerëz të mirë, të lidhur me luftën deri në vlerat e jetës së tyre. Mund të thuhet për shembull, se pikërisht nga familjet e këtyre njerëzve të mirë u nisën nga Perëndimi dhe shkuan drejt radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra drejt luftës, më shumë se 10 mijë vetë, të gjithë të gatshëm për të dhënë edhe më sublimen, jetën e tyre.
Njerëz të politikës, mos i harroni ato!
Mund të thuhet për shembull, se pikërisht nga këta njerëz të zakonshëm e tepër të urtë, u bë i mundur grumbullimi i mjeteve për mbiqëndresën në Kosovë, se ishin pikërisht këta, që duke lënë pas gjërat e zakonshme, bënë shumëçka për të mbështetur luftën në Kosovë. Nuk mund të mendohet lufta në Kosovë pa përkushtimin e atyre që ishin jashtë saj. Dhe unë e di se kjo nuk ka qenë përherë e lehtë.
Nuk ka qenë e tillë, edhe pse nganjëherë e jo vetëm nganjëherë, duhej të thyheshin rregullat e ligjet e shtetit ku jetonin, por edhe sepse struktura të tëra udbashe e kosiste në mërgim, të organizuara prej kohe, po bënin gjithçka ishte e mundur për të prishur gjithçka që po ngrihej. “Strukturat paralele”, që mjerisht nuk shkonin po ashtu paralelisht në të mirë të qëndresës dhe të së ardhmes së Kosovës, si në legjendat e njohura, donin të prishnin natën, tinzisht, atë që ishte ndërtuar ditën.
Nuk mund të kuptohet lufta dhe ngjarjet e luftës në Kosovë pa këto njerëz edhe për një fakt tjetër: sepse tashmë, me përmasat e luftës dhe atë që do të vinte, askush, asnjë organizëm politik, nuk mund ta bënte fillikat, vetëm me antarët e saj, atë që duhej të bëhej dhe që ishte e përmasave të jashtëzakonshme.
Nëse Lëvizja Popullore e Kosovës arriti të bënte shtrirjen e ideve të saj, dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çka ishin të njëjta, kjo ndodhi, sepse ajo doli nga kornizimet, nuk e përceptoi luftën si pronë vetjake, oborrrin e saj të ngushtë, por shumë më tepër se kaq. Është e vërtetë po ashtu, se në strukturat drejtuese të luftës kanë qenë njerëz të vendosur, të përkushtuar, përgjithësisht nga radhët drejtuese të organizatave ilegale dhe kjo nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, por është e vërtetë po ashtu se gjërësia që mori lufta, solli edhe “kufijtë” e ri të mendimit politik në përceptimin e saj.
Mbete hije e mocme o i mjere…………….