Nga Altin Ketro
Grupimi i Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, ka bërë një deklaratë mbështetëse rreth marërveshjes politike pozitë- opozitë, për reformën zgjedhore. Ky grupim, që është më i madhi në PE, thekson që: “Kjo reformë duhet të përfundojë me këtë frymë dhe, mbi të gjitha, duhet të zbatohet në mirëbesim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale.”
Kjo fjali, e cituar nga deklarata e këtij grupimi, është përkthyer tek opozita jonë dhe mediat pranë saj, si një kërkesë e Partive Popullore Evropiane që në vitin 2021, së bashku me zgjedhjet parlamentare, të zhvillohen edhe ato vendore.
Partia Demokratike e keqinterpreton me qëllim këtë deklaratë për të krijuar idenë e rreme që edhe PPE po kërkon zgjedhje të reja vendore. Është e drejta e opozitës që të bëjë lojë fjalësh me deklaratat e parlamentarëve evropianë, të cilët kur thonë që fryma e reformës të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme, kanë parasysh zgjedhjet parlamentare 2021 dhe ato vendore 2023.
Gjithsesi, edhe po ta analizojmë nën optikën opozitare, pra ta konsiderojmë që ky grupim paska kërkuar që në vitin 2021 të zhvillohen njëkohësisht zgjedhje parlamentare dhe vendore, kjo nuk është diçka që zgjidhet me një fjalë goje.
Zgjedhjet vendore të 30 qershorit janë legjitime. Mandatet e kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, që po mbushin vitin në vendimmarrjet e tyre, janë të certifikuara me vendim gjykate. Në këto kushte, me çfarë procedure ekstra ligore do t’u hiqet mandati atyre?!
Mbase ëndërruesit opozitarë mendojë se mazhoranca socialiste do nxjerrë ndonjë ligj që shpërndan të gjithë këshillat bashkiakë dhe shkarkon të gjithë kryetarët e bashkive. Natyrisht që kjo nuk mund të ndodhë, po edhe nëse do ta merrnim si një rast hipotetik dhe PS do të kishte vullnet ta bënte këtë marrëzi, kjo do krijonte një precedent të rrezikshëm pasi çdo mazhorancë e radhës, nën këtë shembull, do provokonte zgjedhje të parakohshme vendore në të gjithë Shqipërinë, sa herë t’i tekej.
Variant tjetër është që kryetarët e bashkive të japin vullnetarisht dorëheqjen. Problemi është se si do të binden kryetarët e të gjitha bashkive që të lënë një detyrë që e kanë marrë sipas proceduarve ligjore me votë popullore, thjesht se këtë gjë ia kërkojnë me “marrëveshje” partitë politike?!
Po mirë, ja po e çojmë në ekstrem fantazinë dhe sërish në mënyrë hipotetike po marrim për bazë që kryetarët e bashkive iu binden “urdhërit” të Edi Ramës dhe japin dorëheqjen. Po me këshillat bashkiakë çfarë do të ndodhë? Edhe nëse anëtarët aktualë të këshillave japin në mënyrë kolektive dorëheqjen (ashtu siç vepruan deputetet e PD e LSI kur lanë Kuvendin), kjo gjë nuk çon automatikisht në zgjedhje për këshillat bashkiakë, sepse këshilltarët e dorëhequr do zëvendësohen automatikisht me këshilltarët pasues të emrave të tyre në listë. Është e njëjta situatë që ndodhi edhe në Kuvend ku deputetët e sotëm të opozitës nuk iu bindën urdhërave politikë të Bashës dhe Kryemadhit dhe zunë ulëset e lira në Kuvend.
Pasi edhe këshilltarët zëvendësues të jepnin dorëheqje dhe lista me këshilltarë të shteroj, vetëm atëherë ekziston mundësia për zgjedhje të parakohshme për këshillat bashkiakë. Por ky proces mund të zgjasë me disa muaj, kështu që nuk mund të zbatohet njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, sepse nuk mund të përputhen datat.
Sa më lart, ishte një analizë teknike për të çmontuar të gjitha format e mundshme që opozita do vinte në diskutim për të kërkuar zgjedhje të parakohshme vendore. Ato thjesht janë të pazbatueshme dhe hidhen në tregun mediatik për të mbajtur me gajret popullin opozitar që të shohë ëndërra me sy hapur.
Sot Shqipëria ka kombinimin më të bukur të zhvillimit të zgjedhjeve, sepse ato bien në gjysmë mandati. Konkretisht, kur parlamanti ka konsumuar 2 vjet mandat, në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet vendore. Kur kryebashkiakët kanë konsumuar 2 vjet mandat, në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet parlamentare.
Si është më mirë, kështu siç e kemi, apo që zgjedhjet parlamentar dhe ato vendore të jenë njëkohësisht çdo 4 vjet? Personalisht jam për variantin aktual. Distanca 4 vjeçare nga zgjedhja në zgjedhje është shumë e madhe dhe dekurajuese për partitë dhe elektoratin.
Duke pasur zgjedhje çdo 2 vjet, si qeveria, ashtu edhe opozita, janë më të motivuara. Qeveria për të qenë nën tension, sepse e di që pas 2 vitesh do konstatojë nëse reformat e saj kanë qenë të drejta apo të gabuara. Ndërkohë opozita, nga ana e saj, këto intervale 2 vjeçare i shfrytëzon për të matur forcat e saj në terren se sa e ka mbështetjen popullore. Ajo aty konstaton avantazhet dhe disavantazhet në zona të caktuara, ku votohet më shumë e ku më pak, dhe merr masa organizative që të përmirësohet. Praktikisht zgjedhjet çdo 2 vjet janë një lloj “stërvitje” për mazhorancën dhe opozitën për zgjedhjet e mëpasshme.
Si konkluzion, opozita jashtëparlamentare është mirë që të mos krijojë pritshmëri të kota tek elektorati i saj me zgjedhje imagjinare vendore. Kushdo, përfshi edhe ata vetë, e di që zgjedhjet e radhës vendore janë në vitin 2023. Prandaj fronti opozitar të përveshë mëngët dhe të bëhet gati për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Nëse vijon të shpresojë edhe për zgjedhje vendore, jo vetëm që është duke i çuar energjitë dëm, por zhgënjen edhe militatin më të “verbër”, duke i kushtuar politikisht tek objektivi i saj, marrja e pushtetit në vitin 2021.