Sa keq që RAI-n nuk e shohim më si dikur

21 Mars 2021, 12:39Blog TEMA

Nga Alba Malltezi

Për shkak të pandemisë dhe detyrimeve familjare, puna ime në këto kohë është kryesisht smart working.

Nga shtëpia. Prindërit janë të apasionuar pas RAI-t, televizionit italian dhe herë në mëngjes, herë në drekë, e herë në darkë më takon të shoh emisione me ta. Edhe në fundjavë, kur nuk mund të dalim dot si më parë.

Si në fëmijëri, po zbuloj një mrekulli. Një armatë të tërë gazetarësh, artistësh, profesionistësh që nga mëngjesi në darkë, punojnë si bletë për të përmirësuar, shërbyer, argëtuar në mënyrë pozitive dhe të shëndetshme publikun, të ndërgjegjshëm se nga ana tjetër e ekranit janë bashkëqytetarë që po kalojnë ditë të vështira pandemie.

Dhë në programacionet shumëngjyrëshe, të një kulture të zgjedhur, jemi pjesë dhe ne shqiptarët: Në Sanremon që sapo përfundoi flitej papushim për Ermal Metën, ndërsa sot, e diel paradite, shfaqen dëshmi, fakte, rrëfime për një tjetër shqiptare hyjnore: Nënë Terezën e më pas, në emisionin EstOvest, italiania Maria Chiara Petrone, flet për lehtësimin e investimeve në Shqipëri, për shkak të taksave të favorshme. Intervista e ilustruar me pamje fantastike nga Tirana. Emocionuese.

Me përzgjedhjen e fjalëve, tonin e duhur të zërit, përkushtimin për artin, natyrën, kulturën dhe shërbimet sociale, RAI vazhdon të jetë një dritare shumëngjyrëshe, si ajo që na bënte të ëndërronim në kohë diktature.

Më vjen keq që të rinjtë e sotëm në Shqipëri, shtëpiaket, intelektualët, edhe pse jo më ne zinxhirët e diktaturës, kanë humbur përqëndrimin dhe vëmendjen ndaj Italisë, ndaj kulturës, artit e spektaklit që ndikoi breza të tërë shqiptarësh, këtij fqinji të rafinuar, zemërgjerë e unik në botën e zhvilluar dhe kulturuar.

Pa i hequr asgjë popujve të tjerë fantastikë të Europës dhe botës, por miqtë e Italisë, në momente të vështira na morën ashtu, sic Nënë Tereza merrte fëmijët e rrugës: të uritur, të palarë, të paqethur, na ushqyen, na veshën e na hapën rrugën e dyert, ku sot qindra mijëra prej nesh kanë krijuar realitetet e tyre më shumë se dinjitoze.

Kujtoj veten time, kur dëgjoja Radio RAI-n dhe emisionet e kritikut Aldo Grasso apo të gazetarit Enzo Biagi-t dhe letrën që i nisa, me siguri kurrë e mbërritur: I shkruaja sa shumë më pëlqente italishtja dhe se doja ta studioja. Në fakt është ajo që bëra në jetë, e që më lejoi të njoh, përvec kulturës së lashtë të vendit tim, edhe këtë të mrekullueshmen italiane. Kushedi sa qetësi, butësi e bukuri, do të na rikthehej, të ndiqnim si dikur, edhe televizionet italiane.

5 komente në “Sa keq që RAI-n nuk e shohim më si dikur”

  1. a says:

    ..e nderuara znj. Alba. Suksesi i RAI ne vitet 70 e 80, lidhet me nje moment te vecante te realitetit shqiptar: ishim te pa pare (term i Nolit), e plot enderra. RAI ishte nje dritare, dhe nje menyre per te dare nga realiteti shqiptar. Sot kohet kane ndryshuar. Shqiptaret ne Itali i gjen me mijera si imprenditore te sukseshem, dhe Raffaella carra’ nuk emocionon me njeri. Shqiptaret po krijojne nje fizionomi te veten kulturale. Mjafton te shikosh dasmat e muziken….ndoshta kishte te drejte I.Rugova, kur thoshte ” shqiptaret jane popull europian me mentalitet aziatik”

  2. Shoku Sal says:

    Dikur gjysma e te rinjve fliste italisht, pikerisht fal RAI-t.
    Sot te rinjte qe gjenden ne Shqiperi, mesojne dhe flasin anglisht dhe gjermanisht, ndersa ata qe flasin italisht, jane te paket.
    Nje gje jo e mire kjo.

    1. e verteta dhemb says:

      Ne fakt krijimi i nje distance me TV italian nga publiku eshte nje gje e mire. TV shqiptare e kopjojne deri ne qelize TV italian dhe kjo eshte gje e keqe.
      Italia ishte nje ashensor i mire kulturor per kulturen shqiptare e TV shqiptare deri ne vitet 90′. TV i Evropes Veriore dhe TV i USA’s ne fakt jane e duhet te jene ashensori kultutor i rradhes, por fatkeqesisht nuj jane. TV Italian tashme eshte ne Shqip nepermjet kanaleve te TV Shqiptare qe kopjojne jo vetem formatet por edhe mentalitetin.
      TV Italian ka stanjacion si ne shpirt edhe ne forme qe nga mesi i viteve 80′. Ka mbetur tek modeli i thashethemit kulturor, spektakleve variete, studiove te ideuara qe ne vitet 60′. Perserit veten dhe riciklon te njejtin mentalitet dhe leviz shumeeeeee ngadal. e njejta gje ka ndodhur edhe me muziken/kengen italiane. Ka mbetur ne te njetin model e nuk behet dot internacionale megjithe talented e nuk mungujone e qe i ka me shumice.
      Shikoni Sanremon dhe do kuptoni qe eshte nje enderr qe perseritet e ku ndrrohen vetem perdet e dritat. Akoma Spiker si ne 65′ me dy goca anash… komplet modele te lodhura qe nuk dalin dot jashte kutise se mendimit lokal. Italia televizive eshte pak a shume kjo: talente dhe gjeni qe krijojne ne fshat e nuk kane kurajon te shkaterrojne fshatin qe i rrethon. Vazhdojne te lepijne mustaqet e tyre e kenaqen qe kane eko ne Tirane, Stamboll, e provincat gjermano – austriake. Askund tjeter nuk i perfill njeri.

      1. Realisti says:

        Jam shumë dakord me komentin tuaj, madje nëse nuk do kishit komentuar ju, do e kisha bërë vetë një koment të ngjashëm.
        Kultura italiane televizive dhe muzikore është shumë e bukur, por fatkeqësisht mbetet e izoluar. I ngjan pak asaj franceze mendoj unë, por i mungon sharmi që mund t’a bënte kulturën e elitave. Ka ngecur në kohën e Pippo Baudos me shokë, ndërkohë që gjithë bota ecën me ritme të pakapshme.

  3. vlora says:

    Ata qe kritikojne Rain dhe kulturen italiane jane ata fshatare e fshatare qe e kane mbyllur kapitullin e kultures 100 vite me pare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje