Bilushi i Metës falenderon BE-në, që nuk ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë

10 Qershor 2021, 20:13Antena TEMA

Pas deklaratës së komisionerit për Zgjerim të BE në Tiranë, se BE do të duhet të marrë konsensusin e 27 vendeve, për të aplikuar të njëjtën procedurë si SHBA ndaj zyrtarëve të korruptuar në Ballkan, Bilushi i Metës i dërgoi atij një letër falenderimi:

“I nderuar Komisioner!

Dëgjova me vëmendje deklaratën tuaj dhe të falenderoj në emër të presidentit.

Vendimi i BE për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë, na jep forcë dhe na inkurajon të ecim përpara në rrugën tonë.

Siç e dini, SHBA ka fut Doktorin në listë të zezë familjarisht dhe janë duke më shantazhuar dhe presidentin.

Por ai nuk është se pyet shumë për ata.

Ua ka thënë hapur se po të duan ta vrasin, mund ta bëjnë, vetëm të jetë vetëm, mos të vrasin të tjerë.

Ua ka zgjedhur dhe vendin, tek Mali me Gropa.

Problemi është se kjo do të ngjallë revoltë tek populli shqiptar.

Shqipëria është vend i lirë dhe i pavarur, dhe nuk mund të ndërdyhet në punët e brendshme të një vendi në këtë mënyrë.

Tani duan të hetojnë pasuritë e Doktorit, por ngaqë nuk i gjejnë gjë, se është qelibar, duan të hetojnë pasuritë e shokëve të Shkëlzenit, pasuritë e dhëndrit, pasuritë e mbesave të Doktorit dhe pronat që kanë fëmijët e tyre, pasi të gjitha dyshohet se janë të Doktorit.

Kjo është skandal.

Presidenti e ka Doktorin komshi në Lalëz dhe është dëshmitar që ai kur prishi vilën në vitin 2014 dhe e ribëri nga e para katër kate, ishte aq keq financiarisht, sa disa pajisje kuzhine i bleu të përdorura.

Këta i thonë ku i gjete lekët që i ke blerë kaq të shtrenjta.

Këto janë provokime të ulëta, që nuk e nderojnë SHBA.

Dhe për presidentin çfarë nuk thonë, por ai nuk pyet për ata.

Më vjen keq për Doktorin, se ka pasur iluzione tek SHBA.

Ndaj dhe jam duke ju uruar në emër të presidentit për këtë qëndrim që mbani.

Mos ndërhyni në punët e brendshme, se vetëm kështu ne do të kemi respekt për BE dhe po vazhduat në këtë rrugë, ne do jemi vetëm me BE, kundër SHBA”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje