Pasi Doktori publikoi poezinë e famshme të Kiplingut, që e kishte modifikuar për qëndresën e tij në PD, Bilushi i Metës u prek shumë.
Sidomos tek vargu i fundit, kur ai thoshte dhe “Nëse një do të mbetet, ai do të jem unë”.
Kjo e bindi Bilushin se Doktori nuk do të iki nga PD, dhe mbetet që të iki Basha.
Për këtë, Doktori ka marrë dhe masat e veta.
Tani e tutje Doktori nuk do të ketë më raport me Departamentin e Shtetit në Uashington, por me shoqatën “Vatra” në Bronx.
Ata janë përfaqësuesit e vërtetë të SHBA dhe përfaqësojnë politikën amerikane.
Kreu i Vatrës është fis Berisha dhe ai është simbol i lidhjes së Berishëve me SHBA.
Pastaj gjithë kryesia e Vatrës do të zëvendësojë qeverinë amerikane.
Fjala vjen, Dritan Mishto është në vend te sekretarit të Shtetit, meqë mbulon marrëdhëniet me Shqipërinë.
Të tjerët, secili mbulon një sektor të caktuar.
Fjala vjen, kush prej tyre bën qofte, është analogu i ministrit të Ekonomisë, kush jep shtëpi me qira është ministër Financash, kush merret me ndërtime është ministër i Infrastrukturës etj.
Pra në vend të qeverisë së SHBA, Doktori do të njohë qeverinë e Vatrës.
Ambasadori i Shqipërisë në SHBA do të caktohet një nga anëtarët e PD në SHBA, ndërsa ambasador i Vatrës në Shqipëri do të bëhet publik kur Doktori të vijë në pushtet.
Detyra e qeverisë së Vatrës është t’i shpallë luftë qeverisë amerikane dhe ta rrëzojë atë nga pushteti që të vijë vetë në pushtet.
Prej sot ata do të punojnë derë më derë, shtëpi më shtëpi, të bindin popullin amerikan se udhëheqësi i tyre në Shqipëri Sali Berisha, meriton të jetë president i SHBA.
Kështu do të punohet në çdo restorant, çdo çajtore apo byrektore dhe do të fitohet beteja me Sorosin, që i ka marrë SHBA-në Doktorit.
Një njësi e veçantë speciale do përpiqet t’i bëjë atentat Sorosit i cili jeton në një periferi të Nju Jorkut.
Në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri vlerësimi i Vatrës për zgjedhjet do jetë vendimtar.
Ata do të çertifikojnë zgjedhjet dhe do caktojnë kush është fituesi në Shqipëri.
Në fund, Vatra do të përjashtojë nga radhet e saj pas vdekjes, një sërë figurash që kanë sjell Vatrën në këtë situatë, si Faik Konica, Fan Noli, Arshi Pipa etj, të cilët i kanë besuar verbërisht SHBA dhe kanë lënë Shqipërinë në mëshirë të Sorosit.